Në Kamenicë, sot është shënuar Dita Ndërkombëtare e Personave me Nevoja të Veçanta, me moton “Krijoni mundësitë që t’i tregojmë aftësitë”.
Me këtë rast shoqata Handikos në Kamenicë, në bashkëpunim me koordinatoren e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut Nazmije Demolli-Kastrati, kanë organizuar aktivitete lidhur me shënimin e kësaj dite, me qëllim të sensibilizimit të qytetarëve lidhur me të drejtat e personave me nevoja të veçanta.
Kreu i komunës Qëndron Kastrati, tha se me këto aktivitete synojnë të rrisin dhe promovojnë të drejtat e kësaj kategorie të shoqërisë, duke rritur ndërgjegjësimin në aspektin social, arsimor, ekonomik, kulturor e shëndetësor.
“Është obligim yni si institucione dhe shoqëri në përgjithësi të angazhohemi maksimalisht në përmbushjen e potencialit të tyre në të gjitha sferat dhe qasjen me të lehtë në përmbushjen e nevojave të tyre thelbësore” u shpreh mes tjerash Kastrati.
Ndërkaq, në emër të shoqatës Handikos foli kryetarja e kësaj shoqate Hyrmete Morina, e cila ka paraqitur disa nga sfidat me të cilat ballafaqohen çdo ditë.
E koordinatorja e NJKDNJ-së Nazmije Demolli-Kastrati, potencoi se shënimi i kësaj dite është një mundësi më shumë për të rritur ndërgjegjësimin e shoqërisë civile lidhur me aftësinë e kufizuar dhe aksesin si çështje kryesore e zhvillimit, për të hequr të gjitha llojet e pengesave dhe për të realizuar plotësisht pjesëmarrjen e barabartë në shoqëri.