Në kuadër të projektit “Përkrahja e Qendrës për Punë Sociale në përmirësimin e shërbimeve në shtëpi, dhe ato rezidenciale për fëmijët dhe të rriturit në nevojë”, është bërë hapja e zyrës për intervista me fëmijë dhe kontakte fëmijë-prindër, tek Qendra për Punë Sociale (QPS).
Hapja e kësaj zyreje do të jetë ndihmesë për komunikimin e fëmijëve me prindërit që tashmë nuk kanë kontakt si pasojë e ndarjes së tyre.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati tha se të gjithë prindërit mund të shihen me fëmijët e tyre dhe t’i shfrytëzojnë ato hapësira së bashku.
“E drejta e kontaktimit të fëmijëve me prindin tjetër është e drejtë e njohur me Ligjin për Familje dhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, dhe ne po përpiqemi që t’u ofrojmë kushte më të mira të gjitha kategorive”, u shpreh ai.
Ky projekt është financuar nga Bashkimi Evropian, bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, i mbështetur nga organizata ndërkombëtare “Save the Children në bashkëpunim me Qendrën Evropiane për Politika të Mirëqenies Sociale dhe Kërkim dhe është implementuar nga OJQ Network of Peace Movement.