Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, bashkë me drejtoreshën për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale Suna Zajmi dhe përfaqësueset nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, bënë hapjen e “Klasës për Nëna” në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Kryetari Kastrati tha se kjo klasë do të shërbejë si qendër informuese e këshilluese për gratë shtatëzëna dhe partnerët e tyre, që nga periudha e paralindjes e deri tek paslindja e kujdesi gjatë zhvillimit të foshnjes dhe të gjitha grave do t’u jepen falas vitaminat “Prenatal”
“Jam shumë i lumtur që sot po bëjmë hapjen “Klasës për Nëna” në Kamenicë. Duke pasë parasysh rëndësinë e këtyre klasave këshilluese dhe ndihmën që e ofrojnë, në bashkëpunim me ambasadën e Zvicrës dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë, po angazhohemi që grave shtatëzëna t’ua lehtësojmë këtë periudhë”, tha ai.
Ndërkaq, drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale Suna Zajmi, tha se kjo klasë është e domosdoshme dhe do të jetë një ndihmesë mjaftë e madhe për gratë në përiudhën e shtatëzanisë por edhe pas lindjes.
E përfaqësuesja nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, Albiona Beha tha se klasa e hapur sot në Kamenicë është e 11 në Kosovë dhe deri më tani 5000 gra kanë përfituar nga këto qendra këshilluese.