(2L ONLINE) – Në kuadër të projektit “Vota Juaj – Vendimi Juaj” i përkrahur nga zyra e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, organizata jo-qeveritare KCIC, sot ka mbajtur aktivitetin e radhës, respektivisht debatin në Kamenicë me temën, “Mbarëvajtja e procesit zgjedhor, sfidat dhe vështirësitë”. Në këtë debat të pranishëm ishin përfaqësues të Gjykatës, Prokurorisë, Policisë, përfaqësues të KKZ së Kamenicës, shoqëria civile si dhe disa pjesëtarë të partive politike.
Sipas përfaqësuesve lokal të Kamenicës, procesi i zgjedhjeve Parlamentare të 8 qershorit, kryesisht është vlerësuar i qetë dhe çdo gjë ka shkuar sipas rregullave të parapara, përjashtuar disa parregullsive të vogla.
Agim Kastrati, përfaqësues i KKZ në Kamenicë, ka vlerësuar se procesi në përgjithësi por edhe përgatitjet kanë shkuar në mënyrë të rregullt dhe se janë marr të gjitha masat në organizimin e tyre. Por, ai ka paraqitur shqetësimin e tij sa i përket numrit të fletëvotimeve (rreth 30 mijë nivel vendi) të pavlefshme duke i cilësuar si një nga brengat më të mëdha të këtij procesi. Z. Kastrati po ashtu ka thënë se në informimin e qytetarëve, kompania e cila është angazhuar nga niveli Qendror, nuk e ka kryer punën si duhet dhe duhet në të ardhmen të kihet parasysh në këtë drejtim. Ndërsa, ai është shpreh se fenomeni i fotografimeve të votës në Kamenicë nuk hasur. Në përgjithësi sipas përfaqësuesit të KKZ-së në Kamenicë procesi ka qenë i rregullt.
Edhe përfaqësuesi i Gjykatës së Kamenicës, Zijadin Selimi ka potencuar se nuk ka pasur probleme në këtë Komunë dhe se procesi është zhvilluar pa ndonjë incident.
Të kënaqur me rrjedhën e procesit zgjedhor janë shprehur edhe përfaqësuesit nga Policia e Kosovës, z. Arsim Gashi dhe z. Shukri Shillova, të cilët thanë se gjatë ditës së votimit nuk ka pasur vështirësi ose incidente të cilat do të mund ta dëmtonin procesin zgjedhor, përjashtuar disa parregullsive të vogla.
Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arsim Thaçi ka vlerësuar se megjithatë ka pas shkelje të ligjit zgjedhor nga ana e partive politike sa i përket fushatës me materialet zgjedhore, posterë, banera etj. Gjithashtu, si shqetësim ai paraqiti mos pastrimin efikas të listave zgjedhore. Si shqetësim ai ngriti edhe papërgjegjëshmrinë e disa komisionarëve që i dërgojnë partitë politike, duke kërkuar që në të ardhmen të bëhen përpjeke që në këto pozita të vihen persona të cilët kanë përvojën e duhur për të kryer detyrën ashtu siç duhet.
Përfaqësuesi nga shoqëria civile, Sadulla Ahmeti theksoi se për të pasur zgjedhje të mira duhet domosdo të funksionojnë hallkat kyçe të procesit e që janë, faktori teknik, faktori politikë si dhe faktori qytetarë.
Nga pjesëmarrësit në këtë debat u ngrit si çështje edhe votimi i mërgimtarëve, respektivisht vështirësitë që kanë hasur qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës për të votuar në këto zgjedhje.
Ndërsa, sa i përket votimeve familjare, u potencua se ende duhet të punohet në këtë drejtim që ky fenomen të kaloj ne nivelet minimale, përmes emancipimit qytetar dhe rëndësisë së votës së lirë për ndërtimin e institucioneve demokratike në Kosovë.
Nga ky debat si konkluzione dolën se:
• Duhet të bëhet informimi dhe edukimi i qytetarëve në mënyrë më të mirë nga institucionet shtetërore.
• Të u mundësohet mërgimtareve që të votojnë.
• Të zgjidhen komisioner të përgjegjshëm dhe me përvojë për të siguruar që çdo gjë të shkojë sipas procedurave dhe ligjit zgjedhor.
• Të vetëdijesohen qytetarët rreth rëndësisë së votës së lirë dhe përgjegjësive të tyre qytetare.
• Respektimin e ligjit zgjedhor nga ana e partive politike.
• Pastrimin e listave zgjedhore.
• Bashkëpunim dhe koordinim efikas midis institucioneve.
PëRNDRYSHE, Projekti “Vota juaj – Vendimi juaj” ka për qëllim vetëdijesimin e të rinjve që kanë votuar për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të Kosovës më 8 qershor si dhe edukimin e grave rreth procedurave të votimit të zonave rurale. Në kuadër të këtij projekti janë zhvilluar aktivitete të ndryshme që ndërlidhen me organizimin e debateve, takime me të rinj dhe qytetare, shpërndarjen e fletushkave dhe postareve me qëllim informimin e qytetarëve për procedurat që duhet ndjekur për të votuar. /2L ONLINE/