Komuna e Kamenicës po e shënon 15 majin, Ditën Ndërkombëtare të Familjes. Njësia komunale për të Drejtat e Njeriut ka mbledhur në një tryezë të rrumbullakët, sociologë, pedagogë, psikologë, drejtues të qendrës për punë sociale, asamblistë, mësimdhënës, përfaqësues të shoqërisë civile e nxënës për të diskutuar për “Familjen e shëndosh, garanci e së ardhmes”
Nazmije Demolli-Kastrati, Koordinatore e NJKDNJ-së, foli për rëndësinë dhe historikun e kësaj date duke thënë se 15 maji njihet si Dita Ndërkombëtare e Familjes. Kjo ditë festohet në të gjithë botën nga viti 1993, kur më 15 maj Asambleja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli ditë të familjes. Kjo ditë simbolizon anembanë botës përkrahjen e vlerave dhe rëndësinë e familjes në shoqëri.
Familja e shëndoshë është gjeneratori kryesor i një shoqërie të shëndoshë, i një të ardhmeje të sigurt, si dhe njëri prej faktorëve kryesorë i ecurisë normale të shtetit.
Familja si shtyllë e çdo shoqërie mbrohet nga Kombet e Bashkuara në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.
Më pas për anën sociologjike të Familjes foli Prof.Shefik Kastrati, i cili tha se familja është Njësia themelore në shoqëri e cila tradicionalisht përbëhet nga dy prindër që krijon fëmijët e tyre, gjithashtu përfshihen edhe njësi të tjera shoqërore, të ndryshëm, që dallojnë, por janë të lidhura dhe të barabarta si familjet tradicionale (familje me vetëm njërin prind)” (wikipedia.org). Familja është qeliza e shoqërisë, e që mund të thuhet se kur është familja e shëndoshë pa mëdyshje se është edhe shoqëria e shëndoshë. Por, nuk duhet harruar se përveç tjerash themelet e familjes së shëndosh i lëkund periudha transitive (kalimi prej një faze në një fazë tjetër) dhe mungesa e hartimit të strategjive nacionale popullative dhe çështjeve që ndërlidhen me planifikimet familjare.
Në aspektin ligjor mbi Familjen diskutoi Burim Kryeziu, jurist, i cili theksoi se: Familja është bërthamë natyrore dhe themelore e shoqërisë dhe si e tillë gëzon të drejtën në mbrojtje.
Më pas për Kategoritë dhe punën e QPS-së, foli Rifat Hajdari, drejtor i QPS-së, Kamenicë.Me komente e sugjerime kontribuuan Prof. Sabri Morina, Nexhmije Kallaba, Sanije Jahiri, Zijadin Thaqi,etj.
Si rekomandime nga kjo tryezë dolën:
Apel për Qeverinë e Kosovës, që të hartoj politika të mirëfillta dhe ti zbatoj ato në praktikë për Mbrojtjen e Familjes Kosovare:
-Rënia e Natalitetit;
-Shtesat Fëmijërore;
-Sigurimet shëndetësore;
-Ngritjen e cilësisë në arsim;
-Krijimin e vendeve të reja të punës;
-Zhvillimi ekonomik;
Perspektivë për të rijnë, e shumë çështje tjera që lidhen me familjen.
Gjatë kësaj dite u shpërndanë fletëpalosje tek qytetarët lidhur me rëndësinë e Familjes të përgatitura nga Koordinatorja e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut.