Komuna e Kamenicës për herë të parë ka mbajtur garën në motocross, ku kësaj gare i janë bashkuar motoçiklistë e vizitorë nga të gjitha vendet e Kosovës.
Me shumë entuziazëm, adrenalinë, emocion e mbi të gjitha energji të pashterrshme për fitore, motoçiklistët filluan garën e cila u mbajt në mes të qytetit të Kamenicës.
Një shteg jo edhe aq i lehtë për t’u kaluar, tërhoqi edhe më shumë vëmendjen e të pranishmëve, të cilët i duartrokisnin motoçiklistët.
E çdo fillim i garës e ka edhe mbarimin e saj, ku pas gjithë asaj adrenaline, triumfuan disa fitues, të cilët u ndanë në tri kategori:
Kategoria E1:
Vendi i parë: Fidan Arifi
Vendi i dytë: Valmir Tahiri
Vendi i tretë: Lirim Rexhaj
Kategoria E2:
Vendi i parë: Eurolind Morina
Vendi i dytë: Blerim Aliu
Vendi i tretë: Besim Tërshani
Kategoria E3:
Vendi i parë: Elton Shevelli
Vendi i dytë: Rami Uka
Vendi i tretë: Endrit Kastrati
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj duke falënderuar të gjithë të pranishmit e veçanërisht motoçiklistët të cilët iu bashkuan kësaj gare, theksoi se një garë e tillë organizohet në Kamenicë, për ta vendosur një themel të fuqishëm të shtëpisë së re të motocrossit.
“Një histori e re ka filluar të shkruhet. Për herë të parë në trojet shqiptare një garë e tillë organizohet në Kamenicë, për ta vendosur një themel të fuqishëm të shtëpisë së re të motocrossit. Pjesëmarrja masive e qytetarëve, adrenalina, energjia, gjallëria dhe garuesit më të mirë në Kosovë e më gjerë, zbarkuan në Kamenicë për ta filluar një histori të re për ne. Kjo garë në kuadër të “Kamenica Summer Fest”, paraqet një premtim tjetër të realizuar të fushatës, por asesi nuk do të mund ta realizonim në këtë nivel pa punën e palodhshme të Federatës së Motoçiklizmit të Kosovës, Klubit “Kamenica Enduro”, KVRL-së, sponzorëve si RedRain, Rc Cola, Maxxis dhe Midland. Faleminderit shumë”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Gara në motocross u organizua në kuadër të “Kamenica Summer Fest”, ku deri më tani janë mbajtur disa aktivitete, si dhe në ditët në vazhdim do të mbahen aktivitete të tjera. /2LONLINE/