Drejtoresha komunale e Arsimit, Mirhane Morina-Bislimi së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Suna Zajmi-Krasniqi, kanë pritur në takim përfaqësues të KFOR-it turk.
Në këtë takim është diskutuar për mbështetjen e KFOR-it turk lidhur me renovimin e Institucionit Parashkollor “Filizat”, mbështetje kjo e cila do të jetë bashkëfinancim i KFOR-it turk dhe Komunës së Kamenicës.
I pari i komunës, Qëndron Kastrati, ka thënë se Institucioni Parashkollor”Filizat” do të renovohet që t’iu ofrohen kushte më të mira të vegjëlve tanë.
“Krijimi infrastrukturës moderne shkollore, është njëra nga hallkat e zotimit tonë për një arsimim cilësor e cila po plotësohet. Në bashkëfinancim me KFOR-in turk, do të renovojmë Institucionin Parashkollor “Filizat”, që të ofrojmë kushte më të mira për më të vegjëlit tanë. Edukimi i hershëm është i rëndësishëm për zhvillimin e individit, por edhe komunitetit si tërësi. Falënderoj miqtë tanë për përkrahjen e vazhdueshme ndaj komunës sonë, ekipin e mrekullueshëm të Komunës, të cilët çdo ditë komunikojnë me donatorë për të sjellur projekte me vlerë për Kamenicën”, është shprehur ai.
Sipas drejtoreshës komunale të Arsimit, Mirhane Morina-Bislimi, kushtet më të mira në institucionet shkollore, lehtësojnë punën e stafit.
“Krijimi i kushteve më të mira në institucionet shkollore lehtëson punën e stafit dhe mundëson mësimnxënie sa më të mirë tek fëmijët. Falënderoj KFOR-in turk për këtë mbështetje”, ka thënë ajo.
Ndërsa drejtoresha Suna Zajmi-Krasniqi duke falënderuar KFOR-in turk për ndihmën, tha se për të vegjëlit është i rëndësishëm edukimi në kushte më të mira.
“Edukimi i hershëm sidomos tek të vegjëlit është i rëndësishëm, andaj me këtë bashkëfinancim me KFOR-in turk do t’iu krijojmë kushte më të mira”, shtoi ajo.
Ndryshe në këtë bashkëfinancim KFOR-i turk do të renovojë objektin e IP “Filizat”, përfshirë kulmin, muret, dyshemenë dhe ndriqmimin. Kurse Komuna e Kamenicës do të kujdeset për inventarin dhe pajisjet tjera. /2LONLINE.com/