(2LONLINE) – OJQ “Fortesa” ka publikuar raportin me temë “Komunë e hapur dhe përfshirëse-realitet apo premtime zgjedhor”, ku ka bërë vlerësimin e punës një vjeçare të komunës së Kamenicës, me theks të veçantë transparencën dhe llogaridhënien ndaj qytetarëve.
OJQ “Fortesa” vlerëson se qeverisja gjatë vitit 2013 nën drejtimin e Shaip Surdullit, ka pasur shumë probleme dhe shkelje ligjore. Ish-kryetari Surdulli nuk ka pasur bashkëpunim me shoqërinë civile dhe mediat, ka shkelur ligjin për qasje në dokumente zyrtare, nuk u ka dhënë llogari institucioneve dhe qytetarëve dhe nuk ka përmbush në masë të madhe premtimet elektorale.
“Drejtorët komunalë, sidomos ata të AAK-së, parti në koalicion me LDK-në, kanë pasur vështirësi në drejtimin e posteve, për shkak të presionit. Duart më të lira në ushtrimin e përgjegjësive dhe kompetencave i kanë pasur drejtorët e LDK-së, parti nga e cila vjen kryetari i Komunës. Marrë në përgjithësi, performanca e drejtorëve ka qenë e dobët”, ka thënë Amir Jakupi, monitorues i kësaj organizate.
Sipas tij, një pjesë e madhe e këshilltarëve kanë shërbyer vetëm si makina votimi dhe nuk e kanë kryer rolin dhe përgjegjësinë si të zgjedhur të qytetarëve. Një numër i madh i tyre, asnjëherë nuk kanë ngritur ndonjë çështje dhe nuk kanë diskutuar gjatë tërë mandatit 4 vjeçar.
Kryesuesi i Kuvendit është munduar të jetë neutral gjatë drejtimit të seancave, por ka pasur raste kur është ndikuar nga kreu i komunës. Përjashto një apo dy raste, kryesuesi e ka respektuar rregulloren e punës së Kuvendit.
“Komuna ka qenë thuajse hermetikisht e mbyllur sa i përket qasjes në dokumente zyrtare. Zyrtarët e saj janë përgjigjur pozitivisht, vetëm në disa kërkesa themelore, por jo edhe kur është kërkuar qasja në pasurinë e paluajtshme e zyrtarëve të lartë të komunës, kontrata me Viva-fresh, shpenzimet për dreka e darka, shpenzimet e veturës zyrtare të kryetarit të komunës. Në këto raste, zyrtarët komunalë kanë heshtur, nuk kanë kthyer përgjigje, kanë shkelur afatet dhe ligjin për qasje në dokumente zyrtare”, ka thënë Jakupi.
Në raportin vjetor të OJQ “Fortesa”vlerësohet edhe ueb-faqja e komunës. “Në ueb-faqen zyrtare të komunës vazhdon të ketë mjaftë mangësi. Aty mungojnë procesverbalet e takimeve të ndryshme, njoftimet me kohë për ndonjë takim, ngjarjet ditore, vendimet, si dhe ka vështirësi në hapjen e saj. Në zyrën e informimit janë të angazhuar tre zyrtarë komunalë, dhe një angazhim shumë i vogël ueb faqja do të ishte e pasur dhe do të funksiononte shkëlqyeshëm.
Vërejtje ka pasur edhe opozita, se aty pasqyrohen kryesisht qëndrimet e udhëheqjes komunale dhe shumë pak hapësirë i jepet partive opozitare, kryesisht gjatë diskutimeve në Kuvend. Zyra Komunale e Informimit duhet të jetë plotësisht në funksion të transparencës dhe publikut. Por, mjerisht kjo zyrë, edhe për shkak të mungesës së profesionalizmit, po transmeton te qytetarët vetëm punën e kryetarit dhe ngjarje që lidhen me ceremoni apo suksese”.
Si dy të arritura në Kamenica gjatë vitit 2013, sipas OJQ “Fortesa” janë ndarja e 71 makinave mjelëse për fermerët dhe sukseset në sport. Në gusht në vitit të kaluar, drejtoria e Bujqësisë ka ndarë 71 makina mjelëse për 71 fermerë të komunës së Kamenicës. Meqenëse bujqësia është burim i të ardhurave për shumë familje, kjo ndihmë ua ka lehtësuar punën fermerëve, si dhe ka qenë një shtysë që ta shtojnë kapacitetin dhe të merren edhe më shumë me bujqësi. Gjatë këtij viti, Komuna ka ndihmuar fermerët e bujqit me rrethoja të pemishteve, koshere të bletëve, motokultivatorë etj.
Një e arritur tjetër mund të vlerësohet në kulturë dhe sport dhe angazhimi i drejtpërdrejt i drejtorit, Faton Krasniqi për t’i ndihmuar këtyre sektorëve dhe për t’ia kthyer Kamenicës namin e dikurshëm. Klubet e Kamenicës kanë shënuar suksese të shumta gjatë vitit në nivel kombëtar dhe jashtë vendit. Klubi i Atletikës “Rogana”, tash e disa vite me atletët e vet është fituese absolute në shumë disiplina.
Suksese ka pasur edhe Klubi i Volejbollit “Flaka”, si dhe klubi i futbollit “Kamenica” dhe klubi i shahut. Komuna, përkatësisht drejtoria e kulturës dhe sporteve, gjatë vitit 2013 dy herë i ka subvencionuar klubet sportive”.
Ndërkaq, Amir Jakupi ka evidentuar edhe problemet kryesore që po e përcjellin Kamenicën vite me radhë dhe që përbëjnë shqetësim serioz për qytetarët. “Mungesa e ujit të pijes, papunësia, korrupsioni, mbingarkesa e të punësuarve në administratë, korrupsioni, politizimi i administratës komunale dhe arsimit, janë disa prej problemeve të evidentuara në komunën e Kamenicës”. /2lonline/