Kreu i Komunës së Kamenicës Qëndron kastrati ka bërë me dije se nxënësit e kësa komune nesër do t’i nënshtrohen pjesës së dytë të testit të maturës. Sipas tij, pjesa e parë e këtij testi, e mbajtur para disa ditëve, ka kaluar pa shumë probleme. Komuna, përkatësisht Drejtoria e Arsimit, janë përkujdesur që të sigurohen kushtet optimale që ky proces të zhvillohet si duhet.
“Pas marrjes së raporteve për vijueshmërinë e pjesës së parë të testit, kemi konstatuar që në njërën nga shkollat e mesme të Komunës, ka dyshime për parregullsi. Dyshimet e bazuara janë që 2 fëmijë të cilët nuk kanë pasur të drejtë t’i nënshtrohen testit, megjithatë kanë hyrë në procedurë”, ka njoftuar Kastrati.
Sipas tij, pas verifikimit të situatës, si Komunë kanë marrë vendim që drejtori i shkollës përkatëse të pezullohet në afat deri në 3 muaj. Një masë e tillë është marrë që të garantohet vijueshmëri e rregullt e pjesës së dytë të testit. Rasti në fjalë do t’i nënshtrohet verifikimit përmes komisionit përkatës disiplinor.
“Jemi të vendosur që dukuri të tilla të favorizimit të padrejtë të ndalen dhe ndëshkohen në Komunën tonë. Drejtoresha Ismete Thaçi më ka njoftuar që përgatitjet për ditën e nesërme kanë shkuar shumë mirë. Nxënësve u uroj sukses dhe fat në këtë ditë shumë të rëndësishme për ta”, ka njoftuar, kreu i Kamenicës Qëndron Kastrati.