/2L ONLINE/ – Analisti dhe njohësi i çështjeve të sigurisë Fadil Kajtazi, ka thënë se çdo ditë që po kalon po bindemi se Kosova nuk është problem ekonomik por i sundimit të ligjit. Sipas tij, deklarata e ish guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës se ai është arrestuar pasi nuk ka pranuar urdhrat kundër ligjorë nga ish kryeministri Thaçi për investime të kapitalit në banka komerciale, është shqetësues. “Vet fakti i shpalljes të pafajësisë për Hashim Rexhepin nga gjitha nivelet e gjykatave, flet për një brishtësi në sistemin prokurorial të Kosovës” thotë Kajtazi për Portalin 2L ONLINE.
Duke i komentuar ngritjen e aktakuzave ndaj kryetarit aktual dhe ish kryetarit ë Gjilanit, Kajtazi ka thënë se tani ngritja e këtyre aktakuzave në rrethana tjera do të ishte shqetësuese, në njërën anë dhe inkurajuese në anën tjetër. Shqetësuese për faktin se qytetarët e Gjilanit nga këta dy kryetarë janë vënë në lajthitje në kohën kur ju kanë kërkuar votën dhe inkurajuese për faktin se ligji po funksionon. Por, sipas tij, skandalet e sistemit të drejtësisë në vazhdimësi nuk lënë vend as për shqetësim as për inkurajim.
“Ne kemi edhe një aktakuzë për mase 30 zyrtarë të komunës të cilët janë suspenduar deri sa të përfundoi procesi. Mendoj që edhe kjo aktakuzë i përket nivelit të aktakuzave të përmendura. Nuk është etike që kallëzimi penal të bëhet për persona nëse prokurori nuk ka në dorë 90% të fakteve, kurse 10% mbetën për t’u shqyrtuar gjatë procesit të gjykimit. Mendoj se aktakuzat nga një pjesë e prokurorëve po ngritën në raport të kundërt 10 me 90%. Këta persona janë publik, kanë reputacion, familje, dhe nëse dalin të pafajshëm sikurse rasti i guvernatorit? Dikush duhet të mbaj përgjegjësi”, ka thënë Kajtazi.
Përndryshe, sipas tij, skena politike e Komunës së Gjilanit është e varfër në përgjithësi. Kryesitë e partive politike, me përjashtime të vogla, janë morbide, nuk posedojnë kapacitete kreative dhe të mendimit të artikuluar politik. Aktivet dhe nëndegët e partive politike gjatë viteve të nëntëdhjeta, sidomos ato të LDK-së kanë qenë më të konsoliduara politikisht se shumica e kryesive të degëve të tanishme të partive në komunën tonë.
Gjithashtu, sipas Kajtazit, Kuvendi i Komunës si organ i cili vendosë për rregullat e administrimit dhe funksionimit të komunës le shumë për të dëshiruar. “Sidoqoftë, skenën politike të komunës do ta dominojnë LDK dhe PDK. Partitë tjera do të jenë në minorancë. Lëvizja vetëvendosje si pretendente për pushtet le shumë për të dëshiruar. Kjo lëvizje ka dështuar të bëj opozitën karshi pushtetit, por duke e orientuar në opozitë kundër shtetit. Konflikti i Vetëvendosjes me shtetin e Kosovës dhe me aleatët e saj SHBA dhe BE, do të duhej ta margjinalizonte këtë subjekt”, thotë tutje Fadil Kajtazi.
Sipas tij, në anën tjetër, qeverisja e Lutfi Hazirit në këtë mandat ka qenë operative, nuk ka mbetur lokalitet në territorin e komunës i cili nuk është prekur me investime në forma të ndryshme, ku ato kapitale veç po shihen çdo ditë. “Është e vërtet që segmente të caktuara në qeverisjen Haziri nuk kanë mundur të ruajnë kontinuiteti, dhe kryetari kohë pas kohe është kërcuar me riformatizim të qeverisë. Edhe nëse ka defekte në këtë qeverisje fatkeqësia nuk qëndron të pozita, fatkeqësia qëndron të opozita dhe e ashtuquajtura “shoqëria civile”. Këto struktura shumë domethënëse për funksionimin demokratik të shoqërisë, asnjëherë nuk kanë qenë në nivel të artikulimit të kërkesave dhe adresimit të problemeve”, ka pohuar Fadil Kajtazi. /2L ONLINE/
Fadil Kajtazi