“Sot, aktivistë të “Lëvizjes Qytetare Vatra” kanë vendosur një pano, për siç thuhet, në shenjë proteste për zvarritjen e padurueshme që Komuna e Gjilanit po u bënë punëve të saj”, ka bërë me dije Durim Kadriu, përfaqësuesi i Lëvizjes Qytetare “Vatra” me seli në Gjilan, transmeton Portali 2LONLINE.com.
“ Jemi mësuar me faktin që kryetari i Komunës, Lutfi Haziri (Luta), çdo punë që e nisë ta zvarrisë e ta zvarrisë deri në pakuptim, duke na lodhur e duke na neveritur me neglizhencën e tij. Të gjithë jemi dëshmitarë të kësaj zvarritje, të këtij paplanifikimi, të këtij keqmenaxhimi dhe të kësaj papërgjegjësie masive që e ka pllakosur komunën tonë”, thotë Kadriu.
Sipas tij, është bërë thuajse normale në Gjilan që rregullimi i një rruge të shkurtër të zgjatë pesë- gjashtë muaj, apo edhe një vit të tërë.
“Pasojat e neglizhencës dhe mosdijes së z. Hazirit dhe ekipit të tij i has kudo dhe me shumicë. Janë bërë të zakonshme pamjet ku komuna pret asfaltin e hapë gropa dhe i lë ashtu me muaj të tërë, pamje bllokimit të rrugëve, pamje me gropa të shumta që presin intervenimin e komunës etj”, thotë tutje Durim Kadriu i Vatrës.
Sipas tij, kjo formë e keqqeverisjes po bënë që Gjilani vazhdimisht të jetë i bllokuar dhe vështirë funksional, pa harruar të përmendën edhe mjetet e rënda që qëndrojnë me ditë të tëra papunuar mu në qendër të qytetit. /2LONLINE.com/