(2L ONLINE) – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit Rexhep Kadriu, së bashku me drejtorin e Shërbimeve Publike, Sokol Haziri, kanë vizituar sot punimet në rregullimin e shtratit të lumit Baja.
Me këtë rast, nënkryetari Kadriu ka vlerësuar se ky është njëri nga projektet më të rëndësishme që po realizohet nga Komuna e Gjilanit, të cilës i prin kryetari Lutfi Haziri.
“Ky është njëri nga projektet e rëndësishme infrastrukturore të Komunës së Gjilanit në rregullimin e shtratit, përkatësisht kanalizimi atmosferik të lumit “Baja” që ka qenë zonë shumë problematike, posaçërisht kur ka të reshura dhe gjatë dimrit, dhe me këtë punë që është duke u bërë, kjo pjesë e qytetit do të jetë definitivisht e stabilizuar dhe nuk do të jetë e rrezikuar më nga ujërat e tepërta të “Bajës” dhe nga të reshurat që këtë vit i kemi pasur me bollëk”,ka thënë Kadriu.
Nga ana e tyre, sipas zyrtarëve komunal, qytetarët janë shprehur të kënaqur me kualitetin e punëve që po bëhet në terren dhe i janë mirënjohës Komunës për realizim të projektit sepse do jetojnë të qetë edhe atëherë kur bie shi.
Projekti në fjalë ka një gjatësi prej 480 metrash vlera e të cilit është 132 mijë euro, që nis prej rrugës “Abdullah Presheva” për të vazhduar deri tek burimi i lumit “Baja”.
Ndërtimi i kanalizimit atmosferik është faza e dytë e punimeve në rregullimin e lumit “Baja”, me që më herët ka përfunduar faza e parë e ndërtimit të kanalizimit fekale dhe me këtë kompletohet infrastruktura nëntokësore e tij në këtë pjesë të qytetit. /2L ONLINE/