Gjilan – (2LONLINE) – Kreu i AAK-së së Gjilani dhe ish kandidati për kryetar komune Rexhep Kadriu, nuk ja doli të siguroi mbështetjen e qytetarëve për të shkuar së paku në balotazh kur është në pyetje gara për kryetar komune. Por, ai prapë është temë aktuale pas përfoljeve të një koalicioni të mundshëm të subjektit të tij me PDK-në.
Për më tepër, në PDK thonë se kanë pasur deri më tani së paku dy takime me të AAK-së për këtë çështje, por se këto deklarime janë hedhur poshtë nga vet Kadriu. Se, puna e marrëveshjes PDK e AAK, është pothuajse veç e kryer, e ka thënë sot edhe Qemajl Mustafa, kandidati i PDK-së për kryetar komune, i cili ka përmendur dy takimet në këtë drejtim, por se këto janë mohuar nga Kadriu, i cili madje thotë se e vërteta është se Mustafa ia ka dërguar “mësit”, për një takim të mundshëm, por se ai ia ka kthyer mbrapa ata dhe se takime nuk ka pasur.
“Të gjitha deklaratat për takime a koalicion me AAK-në janë gënjeshtra. Për koalicion, vendosim unë dhe struktura e AAK-së, prandaj ne së shpejti pritet të kemi një takim me kryesinë ku do të shqyrtohen të gjitha çështjet dhe do të merret vendim që do të përkojë padyshim edhe me interesin e qytetarëve, i cili është primar për ne”, ka thënë Kadriu, për të shtuar se pas certifikimit të rezultateve, do të jenë të hapur dhe do të presin oferta.
Përndryshe, Kadriu ka falenderuar të gjithë qytetarët e Gjilanit për votën dhe besimin që ata i kanë dhënë Aleancës në këto zgjedhje, për të shtuar se pritjet kanë qenë më të mëdha. megjithatë, ai i falënderon të gjithë ata qytetarë që e kanë përkrahur dhe mbështetur Aleancën në Gjilan.
“Unë gjatë gjithë këtyre muajve, kam punuar me vullnetin dhe angazhimin më të madh vetëm e vetëm për ti ndihmuar qytetarët e Gjilanit. Këtë e kam bërë me buxhetin tim familjar pa ndihmën e askujt tjetër, prandaj ua bëjë hallall krejt mundin dhe premtojë se edhe në të ardhmen do të punojë për ti dalë në ndihmë qytetarëve”, ka thënë Kadriu. /2lonline/