(2L ONLINE) – Katërshja e madhe e prioriteteve në qeverisjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri po jep rezultatet e saja të vazhdueshme. Tashmë infrastruktura rrugore po punohet në mënyrë intensive në shumë pjesë të qytetit dhe fshatra, në ndërtimin e kanalizimit, rrugëve, ujësjellësit dhe ndriçimit publik.
Për të parë nga afër punimet, nënkryrtari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu i shoqëruar nga drejtori për Zhvillim Ekonomik Ismail Januzi dhe zyrtarët komunal kanë inspektuar sot punimet në disa rrugë e rrugica në lagjet: “Dardania I”, “Dardania II” dhe në “Dheun e Bardhë”.
Me këtë rast, nënrkyetari Kadriu tha se Komuna po punon me intensitetin më të madh për të kryer obligimet ndaj qytetarëve të Gjilanit, duke ua rregulluar infrastrukturën bazike” rrugët, ujin, kanalizimin dhe ndriçimin publik.
“Inspektuam punimet në disa rrugë të qytetit, në të cilat po bëhet një punë e madhe duke ua rregulluar rrugët qytetarëve tanë, të cilët na dhanë besimin për të qeverisur. Këto punë po realizohen me inciativën dhe përkrahjen e madhe të kryetarit Haziri. Me intensitet të madh do të punojmë në çdo cep të qytetit e fshatrave në mënyrë që njëherë e përgjithmonë t’i rregullojmë këto probleme që janë bazike për qytetarët”, ka deklaruar nënkryetari Rexhep Kadriu.
Ndryshe, për periudhën pesë mujore të qeverisjes Haziri projektet e filluara infrastrukturore kapin shifrën e mbi 1.2 milionë eurove, ndërsa janë shlyer mbi 1.7 milion euro borxhe të trashëguara. /2L ONLINE/