(2LONLINE) – Nënkryetari i Komunës s Gjilanit Rexhep Kadriu, kryesuesja e Kuvendit Valentina Bunjaku – Rexhepi dhe Drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Sali Kqiku kanë qëndruar në Kompaninë Regjionale të Ujit “Hidromorava”, për t’u informuar më shumë rreth furnizimit me ujë të pijshëm dhe respektimin e orarit të reduktimeve.
Me këtë rast nënkryetari Kadriu, ka informuar drejtoreshën Mirvete Hotin, për ankesat e mëdha të qytetarëve që vijnë në zyrën e kryetarit, kryesisht për furnizimin me ujë, apo edhe me mosrespektim të orarit të reduktimeve, duke thënë se për ne si Komunë është shqetësuese, por bashkërisht duhet të bëjmë zgjidhje në të mirë të qytetarëve tanë edhe përkundër që gjendjen me furnizim të ujit në shumicën e Komunave të Anamoravës e kemi shumë të rëndë.
Ai po ashtu ka thënë se edhe inspeksioni i Komunës do të angazhohet për monitorimin e zbatimit të këtij orari, në mënyrë që reduktimet të bëhen konform njoftimit për reduktime që është shpallur nga ana e kompanisë.
Ndërsa Mirvete Hoti, drejtoreshë e KRU Hidromorava, ka thënë se kjo është hera e parë që kemi mungesë të ujit në këtë masë të madhe, e që këtë kompani e ka detyruar që të kalojmë në fazën e reduktimeve. Ajo tha se furnizimi me ujë ka qenë ndër më të mirët në nivel të vendit për disa vite me radhë.
Ndërsa Mumin Morina inxhinier, ka informuar nënkryetarin Kadriu për gjendjen në terren duke thënë se “Guri i Hoxhës” prej 90 litrave për sekondë, tash i sjell vetëm 35 l/s, burimi “Baja” prej 40 l/s tash i sjell vetëm 20 l/s, burimi në fsh. Velekincë ende është në kapacitetin 60 l/s, por do të shohim mundësinë e rritjes nga ky burim,
Penda e Përlepnicës prej 120 l/s tash sjell vetëm 55 l/s. Ai ka thënë se Kompania ka një shpresë emergjente, shfrytëzimin e rezervuarit që është duke u ndërtuar tek Kodra e Dëshmorëve i cili është duke i dezinfektuar dhe do të futet në përdorim sa më parë që të jetë e mundur. /2lonline/