(2LONLINE) – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit .Rexhep Kadriu, ka pritur sot në një takim pune Klubin e Volejbollit të femrave “Drita”, të cilëve u ka siguruar mbështetjen e Komunës për aktivitetet në të ardhmen.
“Është kënaqësi e madhe të presim në takim një ekip siç jeni ju me rezultate dhe trofe të shumta të garave në nivel vendi dhe më gjerë”, ka thënë me këtë rast nënkryetari Rexhep Kadriu, duke precizuar se edhe sa i përket mbështetjes financiare nga ana e Komunës, ne do t’u ofrojmë mbështetje me prioritet në raport me rezultatet që ju i keni nëpër gara të ndryshme.
Kadriu ka thënë se edhe sa i përket vendit adekuat për ushtrime në ditët në vijim do të nxirret vendimi për t’u lejuar ushtrimet në ndonjë sallë që i plotëson standardet dhe është e përshtatshme për ekipin.
Nga ana tjetër Lorik Ilazi, trajner i klubit, ka precizuar sukseset e klubit që i ka në nivel vendi por edhe jashtë vendit, si dhe nevojat për mbështetje në mënyrë që të arrihen sukseset dhe objektivat e klubit.
“Klubi i Volejbollit të femrave “Drita”, është klubi me trofetë më të shumta edhe në nivel të Federatës së Volejbollit të Kosovës. Ai e ka informuar nënkryetarin me kërkesën që e ka bërë për financim dhe mundësinë e sigurimit të një vendi të përshtatshëm për ushtrime. /2lonline/