Ka ndërruar jetë në moshën 102 vjeçare, albanologu, gjuhëtari, intelektuali e pedagogu, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Idriz Ajeti.
Lajmi është bërë me dije Akademia e Shkencave të Kosovës.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në një postim në rrjetin social Facebook, vdekjen e akademik Idriz Ajetit e ka quajtur humbje të madhe për shoqërinë.
“Vdekja e akademikut Idriz Ajeti është një humbje e madhe për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe tërë shoqërinë tonë. Profesorin Idriz Ajeti do ta kujtojmë gjithmonë si një prej intelektualëve më të dalluar, që punoi shumë për albanologjinë. Ai dha kontribut të madh në jetën shkencore e kulturore në vendin tonë. Ngushëllimet më të thella për familjen Ajeti, ASHAK-un dhe gjithë kolegët e miqtë e akademikut Idriz Ajeti!”, shkruan Thaçi.
Edhe kryeministri I Republiksë së Kosovës, Ramush Haradinaj vlerëson se Gjatë 70 vjet karrierë shkencore, Akademik Ajeti la gjurmë të pashlyeshme në gjuhësinë dhe zhvillimet shoqërore e politike të Kosovës.
“Gjatë 70 vjet karrierë shkencore, Akademik Ajeti la gjurmë të pashlyeshme në gjuhësinë dhe zhvillimet shoqërore e politike të Kosovës. Kontributi i tij në vitet ’90 ishte i jashtëzakonshëm në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe të vërtetës së Kosovës. Kalimi i tij në amshim është humbje për shkencën dhe kulturën mbarëshqiptare. Ngushëllime të thella familjes Ajeti, komunitetit akademik dhe miqve të shumtë”, thotë Haradinaj.