Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Ivica Dacic, kanë nisur takimet e tyre në Bruksel, në një raund të ri bisedimesh, të lehtësuara nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.
Kjo e fundit ka paralajmëruar se temë diskutimi do të jetë zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit, për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Takimi vjen pak ditë pas zhvillimit të rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, në të cilat për herë të parë kanë marrë pjesë edhe komunat veriore, të banuara me shumicë serbe.
Rrjedhimisht, në krye të agjendës së sotme pritet të jetë statuti i Asociacionit të Komunave Serbe, formimi i të cilit parashihet me marrëveshjen e prillit.