Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kemajl Azizi” nga Viti është kthyer sot në Viti me çmimin e parë të cilën e ka rrëmbyer në festivalin Atlimansaka Ogarlitsa në Primorsko te Bullgarisë. Gjithashtu solistja me e mirë në këtë festival është shpallur Lendita Ahmeti nga po ky ansambël.
Zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu dhe Milot Lala, Drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport kanë pritur sot në qendër të qytetit të Vitisë, A.K.V “Kemajl Azizi” nga Vitia, ansambël ky që ka marrë vendin e parë në festivalin ” Atlimansaka Ogarlitsa ” ne Primorsko te Bullgarisë, duke lënë pas shumë shtete të tjera. Hasan Aliu, zv.
Kryetar i Komunës së Vitisë, ndër tjerash tha se ky ansambël ka qenë një ambasador i denjë i cili ka paraqitur në mënyrën më të mirë Kosovën dhe Shqipërinë në Bullgari duke potencuar se ata ndihen krenar me fitoren e saj.
Kurse Milot Lala, tha se kjo drejtori në vazhdimësi po e përkrah këtë ansambël duke thënë se fitorja e saj është befasuese dhe se ata ndihet krenar që ky ansambël nga Vitia ka arritur të përfaqësoj dhe të marrë çmim për dy shtetet shqiptare dhe shtoj se ata do të jenë përkrah të këtij ansambli që të arrijnë edhe suksese më të mëdha.
E Arsim Abazi, drejtor nga A.K.V “Kemajl Azizi”-Viti, tha se ata në këtë festival kanë konkurruar me valle burimore shqiptare ku nga 15 shtete konkurse ata kanë arritur të marrin vendin e parë dhe shtoj se solistja e këtij ansambli Lendita Ahmeti, është shpallur më e mira.
Ai falënderoi institucionet komunale të Vitisë, konkretisht DKRS-në për mbështetjen e saj të vazhdueshme si të asaj morale por edhe financiare por falënderoj edhe MKRS-në për mbështetjen e dhënë.