Më shumë se gjysma e banorëve të Rrethit të Pçinjës vlerësojnë se bujqësia është bazë për zhvillimin ekonomik të këtij rajoni, dhe se është e nevojshme që të investohen më shumë mjete nga buxheti për të ndihmuar bujqit.
Gjithnjë e më shumë qytetarët e shohin shansin e zhvillimit të turizmit dhe industrive të lehta, ndërsa ka edhe prej atyre që vlerësojnë se komunat duhet të ndihmojnë në zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, janë këto rezultatet e hulumtimit që ka bërë CeSID, për programin e partneritetit evropian me komunat EU PROGRES.
Anketa e zhvilluar kishte për qëllim zbulimin se sa janë të kënaqur qytetarët me shërbimet e vetëqeverisjeve lokale dhe bashkëpunimin e tyre me publikun me qëllim zgjidhjen e problemeve.
“Anketa ka treguar se qytetarët dëshirojnë përmirësimin e infrastrukturës lokale, siç është ndërtimi dhe mirëmbajta e rrugëve, ujësjellësit dhe kanalizimit, mirëpo edhe një sistem më të mirë shëndetësorë e arsimor. Të kënaqur janë me qasjen që kanë në vendet për blerje dhe porositje (53%), afërsinë e këmbimoreve (51%), solidaritetin dhe gatishmërinë e të tjerëve për të ndihmuar (64%) dhe sigurinë në vendet ku banojnë (57%)”, ka thënë Marko Blagojeviq, drejtor ekzekutiv i CeSID-it, transmeton Titulli.
Qytetarët në jug të Serbisë, megjithatë, më së shumti i godet niveli i ulët i standardit jetësor, pasi që 43 për qind e tyre thonë se në familje jetojnë vështirë, apo në gjendje të rëndë, ndërsa 44 për qind e të anketuarve nuk ka një punë të përhershme, tregojnë rezultatet e kërkimit.
Të anketuarit vlerësojnë se edhe njoftimet në komunë nuk janë të organizuara mirë, kështu 48 për qind shprehen se disa herë duhet të pyesin për një informacion, i cili ndikon edhe në besimin e lartë se procedurat komunale janë të komplikuara.
Bujanoci, Presheva, Surdulica, Bosilegradi dhe Trgovista janë karakterizuar si bashkësitë lokale me komplikimet më të vogla procedurale.
Rreth 70 për qind e banorëve të këtyre komunave beson se në administratë ka staf miqësorë dhe jomiqësor, derisa në sjellje të pahijshme të punësuarve në vetëadministratë lokale janë ankuar 75 për qind e të anketuarve.
“Hulumtimi ka treguar se qytetarët vlerësojnë se nuk janë sa duhet të informuar me punën e administratës komunale, ndërsa pakënaqësia më e madhe është në Preshevë me 62 për qind dhe në Trgovishtë me 51 për qind, derisa në Vranjë 44 për qind vlerësojnë se janë të informuar aq sa duhet. Komuna e Bosilegradit, Preshevës, Trgovishtës, Bujanocit dhe Surdulicës përpiqen që t’i përmbushin nevojat e qytetarëve të tyre, mirëpo 44 për qind e të anketuarve vlerësojnë se qeverisjet lokale duhet të kujdesen më shumë për nevojat e tyre, që ka të bëjë më shumë me Vranjën dhe Vlladicki Hanin, ku udhëheqësia ka marrë edhe vlerësimet më të vogla për punën e bërë”, ka shpjeguar Bllagojeviq.
Anketimi ka përfshirë 8378 qytetarë të rritur të komunave të jugut të Serbisë, Vranjës, Surdulicës, Bosilegradit, Bujanocit, Preshevës, Vlladicki Hanit dhe Trgovishtes