/Koment me shkas/
Madje, edhe njerëzit e rëndomtë e kishin të qartë se deklaratat e fundit te të parit të vendit tonë, ishin dhe vazhdojnë të jenë për konsum të brendshëm politik dhe interesa personale, e lere ma analistët politik të cilët as që u morën me deklarata të tilla jo serioze!
Shkruan: Hafiz Gagica
Kosova e njohur ndërkombëtarisht (1999, 2008) në kufijtë e saj administrativ, ishte kompromisi më i madh që ajo e kishte bërë pas mbarimit të luftës, prandaj janë të pa tolerueshme aventurat politike si dhe qëndrimet deklarative të kujdo qoftë, ngase çështja e kufijve nuk është çështje tenderësh e as e privatizimit të ndërmarrjeve publike!
Deklaratat e pamatura të njeriut të parë të vendit, nuk ka dyshim, se e dëmtojnë rënd seriozitetin politik dhe qëndrueshmërinë shtetërore të shtetit të Kosovës, madje këto deklarata spekulative te të parit të vendit, veç tjerash, i japin ngjyrim të vrazhdë në arenën ndërkombëtare qasjes kosovare ndaj bisedimeve me Serbinë, në kohën kur ato duhet të vazhdojnë dhe pas pak muajve edhe të përfundojnë!
Aktualisht është kohë pushimesh verore, kur qytetarët tanë dhe evropianët ia kanë mësy bregdeteve mesdhetare si dhe vendeve tjera atraktive, ndërsa njeriu i pari i Kosovës del me ide kontradiktore për kufijtë e Kosovës me Serbinë, dhe këtë e bën çdo ditë, sikur Kosova të ishte në ndonjë gjendje emergjente politike dhe ushtarake!?
E gjithë kjo përpjekje e tij, për gjoja bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës, shtetit të Kosovës, përmes siç thotë ai, korrigjimit të kufijve me Serbinë, shpërfaq sheshazi joseriozitetin e tij politik, por edhe të atyre cilët me vite të tëra e kishin harruar numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë sot e gjithë ditën në kushte shumë të vështira ekonomike, politike, sociale dhe kulturore në Luginë dhe më gjerë. Pra, i kanë harruar me mijëra shqiptarë që jetojnë në Beograd, Zemun, Novi Sad, Nish, etj., të cilët nga pakujdesia e institucioneve të Kosovës si dhe nga neglizhimi i institucioneve të Serbisë, ata po izolohen dhe asimilohen çdo ditë e më shumë!
Nuk e kemi asnjë shkollë në gjuhën shqipe në Beograd, e lëre më në qytetet tjera, edhe pse dihet që numri i qytetarëve shqiptarë në Beograd është shumë i madh. Vetëm një shembull i vogël, Lugina e Preshevës per çdo ditë po varfërohet si dhe po zbrazët nga shqiptarët për shkak të kushteve të vështira sociale, ekonomike dhe politike, ashtu siç po e lëshojnë Kosovën me dhjetëra e mijëra të rinj tanë në mungesë punë etj.
Në asnjërin nga takimet e deritanishme të ashtuquajtura teknike, e që në fakt ishin politike, nuk është shtruar problemi i shqiptarëve në Serbi! Dhe, tani kur dihet se bashkësia ndërkombëtare, respektivisht miqtë e Kosovës së bashku me popullin e saj e kanë pranuar kompromisin më të madh: Pakon e Ahtisarit, pas 10 vitesh pavarësi do duhej që shteti ynë të ishte zhvilluar më shumë, të kishte përparue dhe plotësue kushtet për të qenë pjesë e integrueme në mekanizmat ndërkombëtare, derisa sot në Kosovë po ndodhin çuditë e shekullit, njëra pas tjetrës!
Kështu çdo ditë po del në pah joserioziteti i njeriut të parë të shtetit me deklarata të tipit: “korrigjim kufijsh, bashkimin e Luginës” etj., që duket qartë se e gjitha është mbulesë për deformimet e shumta politike që janë bërë gjatë bisedimeve me Beogradin zyrtar, sidomos lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe!
Analog kësaj, kur presidenti , Dr. Ibrahim Rugova dhe LDK-ja bënim të pamundurën për afirmimin e kërkesave tona për liri dhe pavarësi të Kosovës, për realizimin e të drejtat të shqiptarëve në Ballkan (1989/1999), dhe atë duke i përsëritë ato kërkesa në çdo takim dhe çdo të premte në konferenca për shtyp, disa njerëz ato përsëritje si dhe ato përpjekje tona maksimale për pavarësi dhe çlirim, i quanin me ironi rituale fetare dhe si të tepërta!
Sikur që edhe tani, kancelares Gjermane znj. Angelika Merkel, iu deshtë që brenda vetëm pak muajsh ta përsëris qëndrimin gjerman dhe të BE-së, se në Evropën juglindore (Ballkan) nuk mund të ketë ndryshim të kufijëve, as lëvizje dhe korrigjim të tyre, gjë që secili politikan serioz e kishte të qartë, se loja me fraza për korrigjim kufijsh ishte një broçkulle politike sa për ta hutuar opinionin!
Mendoj se është koha e fundit që qytetarët tanë të aktivizohen bashkërisht dhe t’u prijnë ndryshimeve të domosdoshme politike, ekonomike dhe sociale, të zgjedhin lidership më serioz dhe më kredibil, i cili para vetës i ven interesat shtetërore të Kosovë, atdheun, zhvillimin e saj të gjithanshëm, e jo interesat personale, klanore dhe partiake.
Kosova i ka kufijtë e vet të definuar dhe të pranuar ndërkombëtarisht, dhe këta kufijë ajo duhet t’i mbrojë dhe ruaj me çdo kusht dhe mjet.
Por Kosova duhet gjithashtu të përkujdeset më seriozisht për shqiptarët në Serbi, në Luginë, në Maqedoni, në Mal të Zi, etj., dhe së bashku me Tiranën t’i koordinojë qëndrimet dhe veprimet për çdo kauzë nacionale, për integrime dhe anëtarësim sa më të shpejt euroatlantik.
Sjellja e çdo politikani serioz nënkupton interesin shtetror si dhe kërkesat e qytetarëve të saj për ta ruajtur Kosovën nga çdo e ligë dhe e keqe që mund t’i vije nga kushdo qoftë!