Biblioteka e Qytetit “Fan S Noli” Gjilan këtyre ditëve për çdo ditë po pret fëmijë e prindër nga mërgimi – të cilët janë duke kaluar pushimet e tyre në vendlindje-Gjilan. Më së shpeshi ata vijnë me gjyshërit e tyre të cilët janë më të dashur për ta.
Kështu është shprehur, Qazim Azizi, drejtor i Bibliotekës Regjionale “Fan Noli”, sipas të cilit, ky institucion, ka hapur dyert për një javë të tërë, po pse jo edhe gjatë tërë muajit gusht, për tu takuar, për t’ i pritur, për të ndarë gëzimin, interesimin, përvojën e tyre të qasjes në bibliotekë, si dhe sa kohë ata merren me libra në bibliotekë në vendet ku jetojnë.
Është interesante, thotë Azizi se ata, të gjithë, kanë një ndjenjë a mendim shumë të lartë për lidhjet me bibliotekat e tyre në shkollë, në lagje dhe bibliotekat tjera publike të qyteteve të tyre.
“Kjo e jona, ju duket e bukur dhe interesante, por kanë edhe vështrimet e tyre shumë të sinqerta dhe të drejtëpërdrejta për një funksionalizim akoma më të mirë sipas modeleve që ata njohin. Fëmijët janë të dashur të kulturuar të kujdesshëm për librin, ju intereson secili libër shqip dhe habiten për librat në gjuhët e huaja që janë në bibliotekë ( biblioteka posedon një fond me mbi 4500 tituj në gjuhët të huaja; angleze, frënge, gjermane italiane, polake, rumune, spanjolle, ruse etj etj)”, thotë Azizi, transmeton 2LONLINE.
Ai shtoi se nuk mund të mos vërehet malli për librat, që flasin për historinë e vendit të tyre, të qytetit, apo edhe monografitë e fotot e vendlindjes së prindërve të tyre, sespse ata kanë një tanimë të përzier mes vendlindje së tyre dhe kësaj këtu.