(2L ONLINE) – Janë rrok keq e si duket nuk do të ndalen. Grupi i Këshilltarëve të PDK-së në KK të Gjilanit, ka adresuar kritika për sferën e arsimit, ndaj tyre është përgjigjur Nazmi Musa, drejtori drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), por që përgjigjet e tija nuk po i pëlqejnë PDK-së që sërish po kundërpërgjigjet.
Por, edhe këto kundërpërgjigje nuk po ja mbushin syrin drejtuesve të DKA-së, që po reagojnë, dhe kështu po vazhdon ‘fërkimi’, herë duke marr në “shenjë” njëra anë, e herë tjetra. Tani së fundi kemi edhe reagimin e radhës së PDK-së që do ta japim më poshtë, por para se ta lexoni, shihni edhe njëherë shkrimet e deritanishme në lidhjet e mëposhtme.
PDK: Pushteti po kujdeset për “Turshia” të tenderëve dhe projekteve!
Musa lutet për PDK: “O Zot, jepu fuqi atyre ta mbyllin gojën kur nuk kanë çka për të thënë”
PDK: Ne e kuptojmë Nazmi Musën, sepse është nën masa të dhunshme
Musa: Humbësit e pushtetit pavarësisht apetiteve nuk duhet të bëhen nihilistë
Tani, ja reagimi i fundit i PDK-së :
PDK: Nazmi Musa merru me Arsim, e lëre politikën
“Nganjëherë nuk mjafton ta kuptosh dike, në këtë rast drejtorin e Arsimit në Gjilan Nazmi Musën. I cili në reagimet e tij, vërehet qartë se ka probleme serioze në vlerësimin dhe perceptimin e gjendjes në sektorin e tij të cilin e udhëheq dhe shqetësimet tona si opozitë të cilat ne i kemi ngritur, si dhe për presionin dhe masat e dhunshme që ia janë vendosur atij.
Për drejtorin e Arsimit, vërehet qartë se ende është po i njëjti fjalor i tij, sikur në vitin 2005/2006, atëherë kur në këtë mënyrë me fjalë të urrejtjes, të frikës edhe nga pak të Sokratit, fyeje rëndë LDK, ngase në atë kohë ishe LDD dhe pengesë serioze ishte në atë kohë për ju në qeverisjen komunale, sikurse që është edhe sot Lutfi Haziri.
Së paku një herë gjatë jetës, duhet njeriu të bëhet burrë dhe të thotë të vërtetën, e për ta bërë këtë duhet të dalë nga vetvetja, të bëhesh vetë kritik. Sepse edhe ne në qeverisjen e kaluar kemi qenë tej mase vetë kritik, sa i përket ndarjes buxhetore dhe formulës së qeverisë për ndarjen e grandeve në Arsim, atëherë kur edhe ish-kryetari i komunës Qemajl Mustafa, si anëtar i komisionit qeveritar, kishte votuar i vetmi kundër për kësaj formule dhe ndarje buxhetore.
Mirëpo, ne në qeverisjen e PDK-së nuk kemi vajtuar sikur ju tani, por kemi punuar me plotë vullnet, dije dhe guxim, ku kemi zgjidhur jashtëzakonisht shumë probleme në sektorin e Arsimit. Jemi ne ata, që krijuam kushte më të mira për nxënësit në Gjilan, nga tri ndërrime në dy, ku nga 30 minuta orën e mësimit, u bë në 45 minuta.
Edhe ju deri në vitin 2007 ishit në pushtet, por çfarë bëtë për Arsimin në Gjilan, çfarë bëri kryetari i juaj aktual Lutfi Haziri edhe pse ishte zëvendës kryeministër i qeverisë, kur nga 200 milion euro shkonin në suficit të buxhetit të Kosovës dhe asnjë projekt të vetëm nuk ia sjelli komunës së tij. Apo ndoshta ju ishit pengesë për të ardhur investimet në Gjilan, sepse e kishit braktisur LDK-në dhe Lutfi Hazirin, i cili atëherë sipas jush ishte i dëmshëm për Gjilanin, sikurse që edhe për ne, që sot e vlerësojmë të tillë.
I nderuari drejtor, fatkeqësisht edhe ju, sikurse kryetari i komunës, ende jeni në fushatë, po bëni propagandë të mjerë, merrni e lexojeni së paku një herë raportin e Auditorit për vitin 2013 dhe kuptoje drejtë sa borxhe janë trashëguar, mos i beso u mashtro edhe ti nga deklaratat e shefit tuaj, i cili thotë herë 9 milion, e herë 8, tani thotë 3.7, kësaj i thonë Made in “Sharri Travel”.
Ju thoni se po e ndjeni barrën e rëndë të 132 mësimdhënësve me kontratë në vepër, por a e keni harruar kohën tuaj të qeverisjes lokale, kur në vitin 2007, ju keni lënë mbi 200 të tillë, bile edhe më keq, sepse për të njëjtin vend pune, ishin të punësuar me letra, me kontrata nga dy mësimdhënës. Njëri i punësuar nga komuna e LDD-së, e tjetri nga Ministria e LDK-së. Të fortë keni qenë, shembull se si të rritet punësimin.
Por ne në qeverisjen gjashtëvjeçare të PDK-së, e kemi menaxhuar fare mirë këtë problem të numrit të mësimdhënësve, obligimet tona të mbetura për vitin e kaluar, i keni pasur të liruara në muajin shkurt nga bartja e mjeteve financiare nga viti i kaluar në buxhetin komunal, pra i keni pasur mjetet financiare. Këtë problem po e krijoni ju tani, duke e bartur në rrafshin politik.
Sa i përket transportit të nxënësve, ne jemi krenar si PDK, sepse kjo tregon më së miri se ne i duam nxënësit, ata meritojnë shumë më shume se sa bartja për në shkollë, e ju vazhdoni të vajtoni se janë bërë shkelje, e që nuk janë bërë realisht. Ndërsa ju tani i keni plaçkitur nxënësit për nga 3 euro më shumë për ti dërguar në ekskursion me një kompani “jabanxhi”, vetëm e vetëm për të joshur interesat e zyrtarëve të zyrës së kryetarit të komunës.
Është mese e vërtet se 17 drejtorë shkollash kanë qenë të përfaqësuar nga LDK, në kohën e qeverisjes së PDK-së, ndoshta ty aspak nuk të zgjon interesim ngase ju keni qenë pjesë e LDD-së deri vonë, prandaj.
Ne ju kuptojmë se nuk jeni biznesmen i ndërtimeve, por mirë që keni filluar të bëheni i tillë, duke e nisur përvojën me turizëm, sepse nuk ka qenë aspak për ju e lehtë, të realizoni planin dhe kërkesën e kryetarit të komunës, për ti detyruar me dhunë mijëra nxënës të udhëtojnë me “SHARR TRAVEL” nga Prizreni dhe ta anuloni kompaninë nga Gjilani.
Ne jemi krenar që nxënësve të Agrobiznesit, i ndërtuam shkollën më të mirë në Ballkan, por vaj halli në dorë të kujt ka mbetur për menaxhim. Dhe liruam hapësirat për hapjen e Universitetit të Gjilanit, kjo ishte ëndërr e juaja, ndërsa ne e bëmë realitet. Tani mbi pesë mijë familje, po ndihen më mirë dhe më të lehtësuar, sepse fëmijët e tyre po i kryejnë studimet në qytetin e Gjilanit.
Jeni deklaruar se ju nuk udhëhiqni politikë policore dhe diktatoriale që dhunshëm ti dërgoni nxënësit të mësojnë në lagjen e Arbërisë. E pse atëherë patët nevojë me polici të nisni nxënësit për Shqipëri, çfarë ka ndodhur me ata, pse asnjëherë nuk u përgjigjet për këtë problem jashtëzakonisht serioz. Ju jeni aktualisht drejtor i Arsimit, juve ju takon të krijoni politika dhe strategji për ti nxitur dhe stimuluar nxënësit për të vijuar mësimin në shkollën më të mirë në regjion. Por jo, fatkeqësisht për ju kjo është e parealizueshëm, sepse qeverisja e juaj nuk ka aspak vullnet, dije dhe guxim për të bërë gjëra të mira.
I nderuari drejtor, tani kemi filluar edhe të mos ju kuptojmë, sepse reagimet e juaja po tregojnë se edhe ju jeni pjesë e dështimeve, problemeve dhe skandaleve në Arsim. Asnjëherë nuk jeni përgjigjur për problemet dhe shqetësimet e ngritura nga ne si opozitë. Rrahjet e mësimdhënësve nëpër shkolla? problemin e ekskursionit? si erdhi deri te mbytja e nxënësit në Durrës? çfarë jeni duke bërë për shëndetin e rrezikuar të mijëra nxënësve? a është apo nuk është uji i pijshëm në shkollat e zonës rurale? Pse pranuat dy drejtor të suspenduar për keqpërdorime? Pse pranuat pesë drejtor pa plotësuar kriterin dhe kushtet e konkursit? Pse lejuat që anëtari i komisionit për vlerësimin dhe zgjedhjen e drejtorëve, vet ai të zgjidhet drejtor i Gjimnazit? Pse po pranoni kërcënime nga zyrtarë të LDK-së për të regjistruar nxënës pa kritere? Pse po pranoni mësimdhënës pa konkurs? Pse ende nuk e keni zgjidhur problemin e ndarjes së orëve? Pse po lejoni të ushtrohet presion mbi disa drejtor që nuk i përkasin LDK-së, për të dhënë dorëheqje e duke i premtuar atyre sistematizim të vendeve të punës?
Besojmë se ju, tani keni mjaft arsye për të heshtur dhe vazhduar me marre, të drejtoni Arsimin në Gjilan, ose moralisht ju takon të jepni dorëheqje. Ne asnjëherë nuk duam ti personalizojmë problemet, sidomos në Arsim, ku kërkohet nga të gjithë, pozitë dhe opozitë të angazhohen dhe të mbështesin zhvillimet pozitive. Por ju i nderuar drejtor, mos u mundoni tutje të na përgjigjeni neve për problemet dhe shqetësimet tona që i kemi lidhur me Arsimin në Gjilan. Ju nëse e vlerësoni se edhe më tutje keni moral të vazhdoni me qeverisë Arsimin, atëherë filloni dhe përgjigjuni problemeve në Arsim duke ofruar zgjidhje për to. Ju lusim sinqerisht, që mos dilni më tutje në publik, ne kemi ende shumë fakte të tjera për ju dhe gjendjen në Arsim, por heshtni e punoni, kjo është këshilla jonë si grup i Këshilltarëve Komunal të PDK-së, ose vazhdoni edhe më tutje nëse jeni të gatshëm për të dhënë dorëheqje?”
Grupi i Këshilltarëve të PDK-së KK Gjilan