(2L ONLINE) – Drejtoria për Shërbime Publike (DSHP) ka punuar me përkushtim të madh për ngritjen e shërbimeve për qytetarë, ka thënë Sokol Haziri, drejtor i DSHP, duke prezantuar raportin e punës 6-mujore, në Komitetin për Shërbime Publike (KSHP).
Në kuadër të projektit për mirëmbajtjen verore të rrugëve, është bërë sanimi i rrugëve kryesore e anësore, pastaj mirëmbajtja e parqeve dhe hapësirave të gjelbra, sinjalizimi vertikal e horizontal, numërtimi i objekteve, ndriçimi publik në qytet dhe fshatra, meremetimi i rrugëve të rendit të tretë, ka thënë Haziri.
Janë ndërtuar ujësjellës, kanalizime, puseta në disa rrugë të qytetit, është shtruar me kubëza betoni rruga brenda varrezave si dhe të tjera. Po ka përfunduar ndërtimi i rezervuarit të ujit në lagjen “Kodra e Dëshmorëve”, që ka vëllim 3.000 m/3, donacion i qeverisë zvicerane, i cili tashmë është lëshuar në përdorim dhe ka ndihmuar shumë në përmirësimin e furnizimit me ujë, sidomos në pikat e larta të qytetit.
Sa i përket transportit urban, ai ka thënë se është kryer studimi i fizibilitetit si dhe procedurat për kualifikim dhe tenderim. Mbetet që tani Komuna të vazhdojë proceduarat tjera administrative.
Sfidë për këtë vit mbetet caktimi i lokacionit të ri të varrezave të qytetit, ndërtimi i kolektorëve të ujërave fekale në qytet dhe fshatra, përfshi edhe impiantin për trajtim të ujerave të zeza, zbatimi i planit të mobilitetit në trafik, caktimi i lokacionit dhe rregullimi i tregut të kafshëve, tregut të druve dhe rërës, ndërtimi i autoparkut për vendosjen e makinave të aksidentuara dhe të atyre që tërhiqen për shkak të parkimit të gabuar dhe të tjera, ka thënë Haziri.
Komiteti për Shërbime Publike i ka dhënë mbështetje punës së DSHP, sidomos në projektet për hapjen e rrugëve të rendit të tretë. “Me meremetimin e rrugëve të rendit të tretë në zonat rurale, krijohen kushte për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, të cilave u japin shumë rëndësi edhe shtetet e zhvilluara e lere më ne që bujqësinë e kemi sektor shumë të rëndësishëm zhvillimor”, ka thënë Isa Agushi, kryesues i KPSH.
Përndryshe, Komiteti është informuar nga Halit Rexhepi, drejtor i Mbrojtjes dhe Shpëtimit edhe me gjendjen e krijuar nga vërshimet, ditë më parë si dhe masat që janë ndërmarrë për përballimin e situatës. Rexhepi ka kërkuar më shumë buxhet për shërbimet emergjente, sepse ato janë të parat që duhet të reagojnë në raste të tilla. /2L ONLINE/