Fillimi i negociatave Kosovë-Serbi në Bruksel, nuk ishte edhe aq i mirëpritur nga qytetarët e Republikës së Kosovës, nga shkaku se shteti me të cilin Kosova do të fillonte negociatat ishte shteti i cili ka kryer krimet më makabre mbi popullatën shqiptare, por edhe nga shkaku i dinakërisë së shtetit serb në mos respektimin e marrëveshjeve, fakte këto të cilat ishin mjaft hezituese për dhënien e dritës jeshile drejt fillimit dhe vazhdimit të këtyre bisedimeve.
Shkruan: Enver Haziri
Edhe pse Serbia është nënshkruese e marrëveshjeve të shumta të dala nga këto bisedime, e njëjta fare nuk i ka respektuar, duke i bishtëruar këto marrëveshje e duke i bërë këto bisedime fare pak të besueshme, deri në atë masë se nga këto bisedime nuk do të ketë kurrfarë hapa pozitiv drejt normalizimit të situatës Kosovë-Serbi dhe se e gjithë barra e këtyre negociatave mbi detyrimin e marrëveshjeve të dala nga Brukseli, do të jetë vetëm mbi shtetin e Republikës së Kosovës.
Fakti më shqetësues rreth këtyre bisedimeve ishte mos përfshirja e çështjes së shqiptarëve të Kosovës Lindore nga shteti serb në këto bisedime, duke ditur disriminimin masovik të shqiptarëve atje dhe mos respektimin e të drejtave më elementare të cilat u takojnë me ligje nacionale e konventa ndërkombëtare.
Tash, kur jemi krejt në përfundim të këtyre negociatave, epilogu i të cilave duket se është në pah, më së shumti po më gëzon fakti që më në fund liderët institucional të Republikës së Kosovës filluan të mendojnë më tepër për vëllezërit e tyre që gjinden nën okupimin e shtetit gjenocidial serb, që edhe pse shumë vonë 19 vite pas çlirimit filluan t’ kthejnë kokën kah vëllezërit e tyre të mbetur në harresë, por prapë se prapë “më mirë vonë se kurrë”.
Janë për t’u admiruar qëndrimet e z.Thaçi (Presidentit të Republikës së Kosovës) dhe të nënkryetarit të LDK-së, z.Lutfi Haziri, që kanë filluar të flasin hapur që Kosova Lindore të bashkohet trungut të saj, Republikës së Kosovës dhe fakti i përfoljes së përfshirjes në bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel.
Fuqishëm besoj që zgjidhja më e mirë do ishte bashkimi me Kosovën sepse kjo përkon edhe me vullnetin e popullit shqiptar në Kosovën Lindore, të shprehur me referendumin e mbajtur më 1dhe 2 mars të vitin 1992, më pastaj lufta çlirimtare e UÇPMB-së, të cilat padyshim dëshmojnë gatishmërinë dhe vullnetin e plotë të qytetarëve shqiptarë të Kosovës Lindore, bashkimin me shtetin amë, Republikën e Kosovës.
Padyshim në këto bisedime, në asnjë moment nuk duhet të harrohen diskriminimet sistematike të shtetit serb ndaj popullit shqiptar, e në veçanti duhet theksuar se shteti okupues serb shumë herë ka treguar që nuk i duron shqiptarët brenda shtetit të vetë, mjafton të përmendim dëbimet masive të shqiptarëve në vitet 1999-2000, krejt kjo duke mbajtur të getoizuar Kosovën Lindore me xhandarë e policë, por edhe diskriminimet kontinuele në gjitha sferat e jetës, si: arsim, punësim, në kulturë, sport, etj., gjë që në fund, shpresoj se skema politike e Republikës së Kosovës, do t’i bashkohen qëndrimeve të këtyre liderëve të lartcekur, ashtu që për Kosovën Lindore të kemi një zgjidhje të përhershme.