Gjilan: Protestojnë para KEDS-it, paralajmërojnë “terr” në shtator nëse nuk u plotësohen kërkesat

Gjilan: Protestojnë para KEDS-it, paralajmërojnë “terr” në shtator nëse nuk u plotësohen kërkesat

Punëtorët e Kompanisë KEDS, distrikti në Gjilan, kanë protestuar sot para zyrave të Distriktit në Gjilan, në një protestë njëorëshe, që ata e kanë cilësuar si protestë paralajmëruese, e ku kanë kërkuar zbatim të marrëveshjes kolektive dhe rritje të pagave për një jetë të dinjitetshme. Një, protestë të tillë është paralajmëruar për sot edhe në Kamenicë e Viti, transmeton 2LONLINE.

Për të mbështetur protestuesit e distriktit në Gjilan, ishte i pranishëm edhe Kryetari i Federatës së Sindikatave të Pavarura “ElektroKosova” (FSPE), Hysni Gashi, i cili ka thënë se kanë qenë të detyruar për të ndërmarrë një veprim të tillë, për të protestuar si paralajmërim, ndërsa më vonë nuk përjashtohen as veprimet tjera, nëse nuk kanë përgjigje pozitive në kërkesat e tyre.

Gashi ka thënë se kanë trokitur nëpër dyert e institucioneve të shtetit për t’i njoftuar me kërkesat e tyre, i janë adresuar, Kuvendit, Qeverisë, Presidencës por, siç tha ai, kanë hasur në vesh të shurdhër.

Ai ka shtuar se duan që menagjmenti i KEDS-it dhe ZRRE, e institucione tjera relevante, të bashkëpunojnë dhe të gjejnë zgjidhje, të plotësohen kërkesat e Sindikatës, që ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes së përgjithshme kolektive si dhe me ngritjen e pagave për një jetë të dinjitetshme edhe të punëtorëve të KEDS-it.

Gashi ka thënë se protesta të tilla paralajmëruese do të ketë në çdo distrikt, ato do të jenë njëorëshe, por në qoftë se nuk u plotësohen kërkesat, atëherë në shtator do të ketë protestë të madhe, do të ketë grevë në nivel vendi që do të mbahet në Prishtinë dhe do të jetë grevë pa afat të caktuar kohor, por deri në realizim të plotë të kërkesave. Ai tha se nuk duan, por mund të ndodh që pastaj Kosova të mbetet në terr, andaj shpreson në arsyeshmëri të institucioneve relevante dhe plotësim të kërkesave për zbatim të marrëveshjes kolektive dhe rritje pagash, që të mos vije deri te një hap i tillë në shtator.

Ai tha se kanë mbështetje edhe nga sindikatat tjera, si ajo e reja e KEK-ut, BSPK-së dhe Postës dhe se do të jenë të palëkundur deri në realizim të kërkesave të tyre.

Edhe nënkryetari i FSPE-së, Fehmi Pajaziti ka kërkuar nga punëtorët të jenë të bashkuar në këtë çështje dhe ka kërkuar që edhe punëtorët e KEDS-it të trajtohen me dinjiteti dhe të trajtohen sikurse punëtorët e sektorit publik, e mbështetje dhe unitetit në mesin e protestuesve për t’i realizuar kërkesat e tyre ka kërkuar edhe Ahmet Hyseni, nga FSPE – Prishtinë.

Ndryshe, nga FSPE-ja e Gjilanit, Avdirrahim Hasani, ka thënë për 2LONLINE, se sindikata gjilanase po bënë përpjekje për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve pa pretendime për të dëmtuar Kompaninë, sepse është e tyre dhe se janë t hapur për bashkëpunim me menagjmentin. Por, kërkojnë që punëtorët të trajtohen me dinjitet dhe si të barabartë sipas ligjeve në fuqi dhe të mos ketë veprime diskriminuese.

Përveç dy kërkesave, të zbatimit të marrëveshjes kolektive dhe rritje të pagave, Hasani ka thënë se kërkesë e FSPE-së – Gjilan, është edhe kthimi i punëtorëve të larguar në vendet e tyre të punës.

KOMENTE