“Pak ditë pas zgjedhjeve, disponimi i përgjithshëm në Kamenicë është ai i humbjes”, kështu ka deklaruar aktivisti i shoqërisë civile, Amir Jakupi. Sipas tij “ Fitues nuk është as Qëndron Kastrati i Vetëvendosjes, i cili zotohej se ‘do ta kryente me të parën’ e që festoi në natën e shpalljes së rezultateve, e as Shaip Surdulli që mori mbi 5 mijë vota, e që po synon përmbysjen e rezultatit në nëntor”.
Sipas Jakupit, mesazhi i kamenicasve për partitë në pushtet ishte i qartë. “Partitë që qeverisën Kamenicën në këto katër vjet morën goditje fatale në këto zgjedhje, me përjashtim të AAK-së që deri diku arriti t’i ruajë kuotat e 2013-ës. PDK-ja përjetoi disfatën më të rëndë në historinë e saj elektorale. Pas 22 tetori është një parti për t’u rithemeluar, kurse AKR-ja regjistroi rënie drastike të votave, mori tri herë më pak vota se në 2013”.
Amir Jakupi thotë gjithashtu se, edhe Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje e ka përgjysmuar votën partiake, kurse rënie ka pasur edhe LDK-ja.
“Edhe pse ka një epërsi prej më shumë se 700 votash, Vetëvendosje do ta ketë shumë të vështirë garën e balotazh. Më 22 tetor kandidati i VV-së ka marrë vota prej PDK-së, AKR-së dhe votuesve pasiv dhe në këtë mënyrë konsiderojë se ‘e ka mbërri tavanin’. Balotazhi do të varet edhe se prej koalicioneve që do të lidhin partitë politike”, ka theksuar Jakupi.