Deputeti i pavarur Muhamet Mustafa sot edhe zyrtarisht kaloi në radhët e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Mustafa, para se të bëhej deputet i pavarur, ishte deputet nga radhët e AKR-së.
Duke njoftuar me këtë vendim të Mustafës, kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi futi konfuzion në sallë tek tha: “Prej sot unë aktivitetet e mia si deputet i zhvilloj në radhët e deputetëve të LDK-së”, raporton “Koha”.
Leximi i tillë i vendimit të Mustafës u prit me duartrokitje (nga deputetë të LDK-së), por Jakup Krasniqi duke qeshur e korrigjoi shpejt leximin dhe tha:” Në grupin e deputetëve të LDK –së kalon Muhamet Mustafa dhe unë vetëm e lexova njoftimin tij”.