Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, zotëri Sylë Hoxhën, të cilin fillimisht e përgëzoi për detyrën e besuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke theksuar rëndësinë e angazhimit dhe të punës në krye të një institucioni të rëndësishëm shtetëror.E premte, 08 gusht 2014
Duke shprehur mbështetjen për Prokurorinë e Shtetit, Presidentja Jahjaga theksoi rolin e jashtëzakonshëm që ka ky institucion në luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit, si dhe në sigurimin e sundimit të rendit dhe të ligjit në Kosovë. Presidentja Jahjaga theksoi se luftimi i ekstremizmit dhe radikalizmit është detyrë parësore e të gjitha institucioneve të vendit dhe angazhimi i plotë i prokurorisë së shtetit në këtë drejtim është i domosdoshëm dhe jetik në garantimin e stabilitetit dhe sigurisë për vendin.
Presidentja Jahjaga dhe ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit diskutuan edhe për punën e institucionit të Prokurorit të Shtetit, për mbarëvajtjen, angazhimet dhe sfidat e tij, si dhe për avancimin dhe profesionalizimin e këtij institucioni.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, zotëri Sylë Hoxha, duke e falënderuar Presidenten Jahjaga për mbështetjen dhënë Institucionit të Prokurorit, shprehu gatishmërinë që të ushtrojë detyrën përmes dëshmimit të rezultateve. Ai theksoi se Institucioni i Prokurorit të Shtetit është një hallkë e rëndësishme e mekanizmave të sigurisë në Kosovë dhe tha se ky institucion ka nevojë për rritjen e numrit të prokurorëve me qëllim të shtimit të efektshmërisë së punës së institucionit.