Me rastin e Krishtlindjes Ortodokse, Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga u dërgoi një mesazh me urimet më të përzemërta besimtarëve ortodoksë dhe të gjithë qytetarëve të vendit.
Në urim thuhet:
Me rastin e festës së Krishtlindjes ortodokse, të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës ju shpreh urimet më të sinqerta, me dëshirën që këtë festë të madhe të mirëkuptimit, solidaritetit, të dashurisë dhe të respektit ndaj njëri-tjetrit, ta kaloni me familjet tuaja, me njerëzit tuaj më të dashur, në paqe, harmoni e gëzime.
Kjo ditë feste le të na shërbejë për ta shtuar besimin dhe respektin e ndërsjellë, për t’iu gëzuar të arriturave tona të përbashkëta dhe për të punuar për një jetë më të mirë e më të begatë.
Në këtë ditë të shënuar, le të përkujtojmë të gjithë ata që nuk janë më në mesin tonë dhe të lutemi për ta. Njëkohësisht, të punojmë për përparimin dhe të ardhmen më të mirë të fëmijëve tanë, të familjeve tona dhe të vendit tonë të përbashkët.
Urime dhe me fat!