Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ripërsëritur qëndrimin se Kosova është e gatshme që të bashkëpunojë me drejtësinë ndërkombëtare për të përmbyllur, siç ka thënë ajo, një kapitull të rëndë të historisë së Kosovës.
Jahjaga, në një intervistë për Zërin e Amerikës ka ritheksuar gatishmërinë e Kosovës që të bashkëpunojë me drejtësinë ndërkombëtare.
“Sa i përket çështjes së Gjykatës së Veçantë, është një proces ndërinstitucional që dëshmon gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare, me qëllim të përmbylljes së një kapitulli të rëndë të historisë sonë dhe duke përcaktuar përgjegjësinë individuale. Jemi të bindur se kjo është rruga e vetme për t’iu mbetur besnikë idealeve dhe vlerave mbi të cilat kemi ndërtuar dhe kemi krijuar shtetin tonë, shtetin e pavarur të Republikës së Kosovës. Gatishmëria e jonë për të bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare duhet të jetë edhe një shembull për inkurajimin e vendeve tjera të rajonit për tu përballur me të kaluarën e tyre” ka thënë ajo.