Presidentja Atifete Jahjaga ka uruar qytetarët e Kosovës me rastin e Ditës së Çlirimit. Me ketë rast, ajo ka thënë se shteti i ri po ndërtohet mbi parime të shëndosha demokratike ku sundon rendi e ligjit
Lexojeni te plotë urimin e Presidentes:
Sot shënojmë 15 vjetorin e ditës më të rëndësishme të historisë më të re për Kosovën, ditën kur përfundimisht iu dha fund shtypjes, dhunës dhe gjenocidit dhe ditën kur u hap një kapitull i ri për popullin e Kosovës, një epokë e zhvillimit dhe përparimit për vendin dhe dinjitetit e barazisë ndërmjet qytetarëve, pa dallim.
Në këtë ditë, më respekt të thellë kujtojmë të gjithë ata që bënë sakrificën sublime që ne sot të jemi të lirë dhe të pavarur, të gjitha gjeneratat që punuan për lirinë e vendit, që kulmoi me luftën e popullit për çlirim nën udhëheqjen e Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës.
Jemi krenarë dhe shprehim falënderim të thellë për angazhimin në Kosovë të burrave dhe grave, të ushtarëve dhe eprorëve të Aleancës Veriatlantike të NATO-s, të vendeve të Bashkimit Evropian dhe sidomos të ndihmës së pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në misionet e ndryshme në Kosovë. Kosova sot është rrëfim suksesi i përbashkët i të gjithë neve, qytetarëve, i institucioneve dhe i bashkësisë ndërkombëtare.
Ne po ndërtojmë një shtet qytetar, shtet gjithëpërfshirës, që bazohet në rend dhe sundim të ligjit, një shtet ku të gjithë i gëzojnë të drejtat dhe liritë e barabarta pa asnjë dallim. Kosova sot është dëshmi e një shoqërie të pjekur, të mundësive të barabarta, të një shoqërie demokratike dhe tolerante, që diversitetin e saj e ka shndërruar në vlerë të saj.
Liria, pavarësia dhe demokracia e Kosovës është vullnet dhe angazhim i popullit të Kosovës dhe i ndihmës së miqve tanë ndërkombëtar dhe me këtë rast falënderojmë Misionin e NATO-s, të EULEX-it dhe misionet tjera ndërkombëtare që po kontribuojnë në konsolidimin demokratik të vendit tonë.
Pesëmbëdhjetë vjet më pas, Kosova qëndron më e fuqishme se ndonjëherë, duke ndërtuar një të ardhme të sigurt në gjirin e popujve të lirë dhe të barabartë të Evropës, një shtet që kontribuon në paqen dhe sigurinë e përgjithshme, duke qenë një vend i përparuar për gjenerata e tashme dhe për brezat që vijnë.