Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar se Gjykata Speciale për krime lufte nuk duhet të shihet si përpjekje për ta njollosur luftën tonë për liri dhe pavarësi. Në një intervistë për “Epokën e re”, Jahjaga ka thënë se vendimi për themelimin e kësaj gjykate nga ana e Kuvendit të Kosovës duhet të merret si shembull nga vendet e rajonit.
Në këtë kontekst, ajo ka thënë se kjo është rruga e vetme për t’u mbetur besnikë idealeve dhe vlerave mbi të cilat po e ndërtojmë Kosovën. “Gatishmëria jonë për të bashkëpunuar me drejtësinë ndërkombëtare duhet të jetë shembull për inkurajimin e vendeve të tjera të rajonit për t’u përballur me të kaluarën e tyre”, ka deklaruar presidentja Jahjaga.
Presidentja Jahjaga ka thënë se do të ishte një prej goditjeve më të rënda për shtetin e Kosovës, kthim prapa për të gjitha proceset dhe gjithsesi dëmtim i shtetësisë së Kosovës në skenën ndërkombëtare në rast se çështja e kësaj gjykate do të kalonte nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ajo ka thënë se vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale ka qenë pjesë e diskutimeve të institucioneve të Kosovës me faktorin ndërkombëtar si dhe e pajtimit me subjektet politike në Kosovë. “Votimi në Kuvend reflekton pajtueshmërinë e të gjithë faktorëve në një proces gjithëpërfshirës”, është shprehur Jahjaga.