Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e radhës të kryesuar nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka. Në këtë mbledhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi rekomandimin për Presidentin e Republikës së Kosovës lidhur me kandidatët e radhës për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës që do të zëvendësojnë deputetët e deritashëm, sipas listave të subjekteve politike përkatëse.
Nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës:
Visar Hoti zëvendëson Driton Selmanaj;
Ismet Beqiri zëvendëson Arban Abrashin dhe
Faton Bislimi zëvendëson Armend Zemajn.
Nga subjekti politik Nisma Socialdemokrate – Aleanca Kosova e Re – Partia e Drejtësisë, Arbëreshë Krasniqi zëvendëson Albulena Balaj – Halimajn.
Përndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për të çregjistruar 4 parti politike, të cilat nuk e kanë dorëzuar formularin për vazhdimin e regjistrimit të partisë politike, siç përcaktohet në nenin 12.6 të ligjit mbi zgjedhjet e përgjithshme.
Partitë politike të çregjistruara në mbledhjen e sotme, 10 qershor 2020, janë:
ESDAK – Evropska Stranka Demokratske Akcije Kosova;
SLS – Samostalna Liberalna Stranka;
LD – Lëvizja për Drejtësi; dhe
PEK – Partia Euroatlantike e Kosovës.