UEFA në faqen e saj zyrtare bëri të ditur listën e reduktuar me 10 kandidatët që mbeten në garë për çmimin “Futbollisti më i mirë në Europë” për sezonin 2013-2014.
Në garë për nderimin e rëndësishëm individual këtë vit janë sipas rendit alfabetik, Diego Costa, sulmuesi që u shpall kampion në La Liga me Atleticon dhe tashmë është transferuar te Chelsea. Angel Di Maria, kampion i Europës me Realin e Madridit, James Rodriguez, sulmuesi kolumbian i Monaco që i mahniti të gjithë në Botërorin e Brazilit, Kampioni i Botës Philip Lahm, kapiten i Gjermanisë dhe Bayernit të Mynihut, ylli i Barcelonës dhe Argjentinës Lionel Messi, Thomas Mueller goleador i spikatur i Gjermanisë në Botëror dhe pikë e fortë e Bayernit të Mynihut, “Doreza e Artë e Botërorit” dhe gardiani i portës së Bayernit Manuel Neuer, Arjen Robben futbollisti i Bayernit që u shfaq në kulmin e formës së tij në Brazil me Holandën, Cristiano Ronaldo, portugezi që u kthye shpejt nga Brazili por ishte protagonist i “La Decimas” me Realin e Madridit si dhe Luis Suarez, uruguaiani që ndau “Këpucën e Artë” me Ronaldon për finalizimet e tij me Liverpoolin, aktualisht i transferuar te Barcelona, por ende nën pezullim për shkak të kafshimit sensacional ndaj Chielinit në Botëror.
Të 10 këta futbollistë tashmë shkojnë një raund të dytë votimi, i cili do të prodhojë tre kandidatët finalist që do të shpallen në datën 14 Gusht, ndërsa fituesi do të marrë çmimin individual në 28 Gusht në Monaco, gjatë shortit të fazës së grupeve për sezonin e ardhshëm të Champions League. Ky sezon shënon edicionin e katërt të këtij çmimi individual, me inisiativën e Presidentit të Uefa-s Michel Platini. Tre edicionet e para të çmimit “Futbollisti më i mirë në Europë” janë fituar respektivisht nga Lionel Messi, Andres Iniesta dhe Franck Ribery.