Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, është shprehur kundër vizitës së ministrit serb të ngarkuar për Kosovën, Aleksandar Vulin, në veri të Mitrovicës.
Në një intervistë për “Epokën e re”, Isufi ka thënë se vizita e Vulinit, sidomos në kohë të fushatës zgjedhore, paraqet ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punët e brendshme të Republikës së Kosovës.
“Vizita e Vulinit paraqet ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punët e brendshme të Republikës së Kosovës. Kjo vizitë cenon territorin dhe sovranitetin e vendit sepse në këtë kohë të zgjedhjeve nuk duhet të lejohen kurrfarë personalitete serbe ta vizitojnë Kosovën, që në shumë raste kanë përdorur fjalime nxitëse dhe përçarëse. Po ashtu, vizitat e disa zyrtarëve serbë kanë pasur për qëllim edhe destabilizimin e Kosovës”, ka thënë Isufi, i cili e ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për lejimin e vizitave të zyrtarëve serbë.
“Qeveria e Kosovës ka treguar se nuk mbron interesat e qytetarëve të vendit. Po ashtu, Qeveria vazhdimisht është tërhequr nga deklarimet dhe vendimet e saj. Prandaj, kemi një Qeveri joserioze”, është ndër tjerash shprehur Isufi për Epoka e Re.