Kryetari i të rinjve të PDK-së në Gjilan, Burhan Isufi, ka shpalosur arsyen pse është kandiduar dhe cilat janë synimet të cilat dëshiron t’i arrijë përmes postin të këshilltarit komunal, nëse merr votat e mjaftueshme.
“Unë fillimisht kam filluar të merrem me aktivitete të ndryshme me qëllimin për të bërë diçka të mirë për komunitetin ku jetoj, të ndihmoj në zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme kulturore e sportive. Mendoj që për mua e vetmja mënyrë dhe më e lehtë për të bërë diçka të tillë për të mirën e rinisë dhe komunitetit është përmes aktivizmit në parti politike, atëherë edhe unë vendosa që të kyçem në PDK dhe të vazhdoj aktivitetin tim politik”, ka thënë Isufi.
Ai tha se ka për qëllim ta jep kontributin e tij intelektual dhe profesional në të mirë të rinisë dhe shoqërisë përmes debatit dhe dhënies së ideve në Kuvendin Komunal.
“Tri prioritetet që do të mundohem t’i ofroj rinisë janë: Fuqizimi i të rinjve në vendimmarrje. Një përkujdesje më e madhe institucionale ndaj të rinjve. Krijimin e një fondi të vetëpunësimit që ju ndihmon të rinjve lehtësira për krijimin e bizneseve individuale”, tha ai.
Ai pret t’i jepet rasti për ta dëshmuar veten për shkak, siç thotë ai se një zë i tillë që mbron dhe promovon të drejtat e rinisë në Gjilan mungon dhe se e vetmja mënyrë për të ndryshuar diçka është përmes institucioneve, ku edhe synon që të jetë pjesë e kuvendit.