/2L ONLINE/ – Nevzad Isufi, Shef i anëtarëve të Kuvendit komunal të Gjilanit nga Lëvizja Vetëvendosje, duke folur për atë se çfarë është premtuar e çfarë nuk është realizuar nga Kryetari i Komunës Lutfi Haziri-Luta dhe qeveria e tij, ka thënë se Haziri ka pasur aftësi për të premtuar, por i ka munguar aftësia e zotësia në realizim të premtimit dhe në përmasat e premtimeve objektive.
Sipas tij, premtim ishte ulje qind për qind e taksave, por se nuk kemi pasur ulje, madje diku-diku kemi pasur ngritje. Premtimi tjetër ka qenë i lidhur me një kategori të qytetarëve që nuk janë shumicë, por që janë pjesë e rëndësishme e shoqërisë e ato janë bizneset. “Atyre kryetari iu pat premtuar shlyerje të borxheve, po cilat borxhe mundi t’ua ka shlyer Kryetari? Asnjë, përpos atyre që i ka falur qeveria e që do të thotë se kjo nuk ka të bëjë fare me qeveritë komunale, pavarësisht kush i udhëheq ato. Pra mbetet premtim i pa realizuar i Kryetarit të komunës”, ka thënë isufi.
Sipas tij, premtimi tjetër lidhet me një kategori të rëndësishme, në përgjithësi të shoqërisë kosovare, pra lidhet me Bujqësinë, ku Kryetari pat premtuar se do të rregullojë, ndërtojë sistemi ujitjesh për plantacionet bujqësore, dhe se në vitin e parë do të investohen një milion euro, ndërsa në vitin e dytë një milion, ndërsa jemi në mbarimin e vitin të tretë të kësaj qeverisjeje dhe a kemi diçka nga kjo? “Sigurisht që jo, pra as ky premtim nuk është ujitur fare”.
“Derisa bëjmë fjalë për bujqësinë, premtime ka pasur edhe për sigurim të farës së grurit, falas, korrje-shirje falas, sigurim të derivateve falas, ka ndodhur pjesërisht vetëm një subvencionim me farë dhe plehra për një numër të vogël të bujqve, që kryesisht kanë pasur sipërfaqe të vogla të tokës. Mos të flasim për premtimet se grurin do ta grumbullojnë në silosin e fabrikën e bukës “Kualiteti dhe në premtimin për ndihmë për shitjen e produkteve të tjera bujqësore mbeten ëndrralla”, ka thënë isufi.
Sipas tij, premtimi i radhës i Kryetarit të komunës për ulje të tatimit në pronë për 40%. Nuk bëhet fjalë për ulje të tillë të tatimit. Premtimi për ndarje të 50% të buxhetit për familjet bujqësore, do të ishte realizuar sikur premtimi i ndarjes së shumës prej 2 milionësh t ‘ishte bërë realitet, Pra as ky premtim s’gjeti tokë të përshtatshme për t’u realizuar, por mbeti shterpë.
Premtimi tjetër, i kreut të komunës sipas isufti të Vetëvendosjes ishte edhe ai për heqjen e ujërave të zeza nga fshati Malishevë as që i ka ardhur radha, pasi që as ky Kryetar Komune nuk po arrin të nxjerr ujërat e zeza nga qyteti përmes lumit Mirusha, kështu që fshatrat vetëm mund të ëndërrojnë, por në këtë mandat e me këtë dinamikë të punëve të kësaj qeverie as që bëhet fjalë realizimi i një projekti të tillë.
“Premtimi për buxhet të vetin për secilin nga klubet sportive, po ashtu nuk është realizuar, ndonëse subvencionim të këtyre klubeve ka pasur, por as ato nuk i kanë përmbushur nevojat e mëdha që kanë klubet. Po ashtu nganjëherë subvencionimi mund të vijë me vonesë, kështu që mund të mos jenë në momentet më të përshtatshme për klubet, për këtë arsye edhe vlera e tyre nuk është e njëjtë, sikur me rastin kur kanë buxhetin e tyre dhe i bëjnë me kohë veprimtaritë e planifikuara”, thotë tutje isufi.
Sipas tij, premtimi tjetër që ka të bëjë me rritjen e përfaqësimit të femrave në ekzekutiv, por opinioni qytetarë e di sa femra ka në qeverinë e ekzekutivit komunal. Hiq një ushtruese të Drejtorisë Komunal të Arsimit, nuk ka asnjë përfaqësuese tjetër femër në Ekzekutivin komunal, kjo është edhe një huqje tjetër e premtimeve të dhëna të Kryetarit.
“Premtimi për përkrahje më të madhe ndaj familjeve të dëshmorëve, por ne brenda këtij mandati qeverisës nuk kemi parë ndonjë formë të përkrahjes që kanë pasur familjet e dëshmorëve, ndonëse nuk është specifikuar së për çfarë përkrahjeje bëhet fjalë” thotë Isufi.
Sipas tij, premtimi i zgjerimit të rrugës në katër korsi në dalje të qytetit, pra rruga Gjilan-Prishtinë, as që ka filluar, dhe nëse punohet me dinamikën dhe cilësinë që po punohet në rrugën Gjilan- Kamenicë, ka bindjen që edhe qytetarët do të ishin kundër një forme të realizimit të këtij projekti, nga kjo qeveri.
Isufi tha se edhe premtimi për rritje të pastërtisë në qytet është i dështuar me vet faktin e mos zgjidhjes së çështjes së lumit Mirusha, si ndotësi më madh e mos të flasim për format tjera të ndotjes të hapësirave publike kryesisht, për mungesë të inspektorëve të ambientit dhe mosfunksionim të drejtorisë së inspeksionit.
Ai shtoi se premtim ishte edhe për më shumë parqe dhe kopshte për fëmijë. “Ne nuk e dimë se janë rregulluar parqe dhe kopshte për fëmijë, me përjashtim të parkut “Dardania”, i cili është realizuar me donacion e pjesëmarrje të komunës, për parqe tjera nuk bëhet fjalë, përpos nëse ato mbeten fshehtësi për t’i befasuar fëmijët?! “
“Premtimi për ndriçimin publik (zonal) të qytetit Pra, rrjeti për ndriçim në disa rrugë nuk është shtrirë ndërsa në disa lagjeështë, por nuk funksionon. Shembull konkret në Lagjen Dheu i Bardhë. Kemi kërkuar që pjesa ku frekuentojnë nxënësit, pra rrugët drejtë shkollës të kenë ndriçim, por kjo deri më tash nuk është rregulluar. Për këtë arsye në mbrëmje të gjithë prindërit e nxënësve të klasave të ulëta detyrohen të dalin për t’i marrë fëmijët e tyre. Pra, as ky premtim nuk është realizuar” ka thënë Isufi i Vetëvendosjes.
Sipas tij, sa i përket premtimit për depolitizimit të arsimit dhe administratës në komunë, nuk është bërë asnjë hap përpara, përkundrazi, politizimi është shtuar edhe më. Ne brenda këtij mandati qeverisës, ka pasur punësime në baza partiake, qoftë në shkolla, çerdhe e institucione tjera edhe në administratë, pa përfshirë këtu drejtuesit të cilët po e konsiderojmë se janë poste politike, edhe pse gjoja zgjedhen në bazë të konkursit. Shembuj më të freskët konkret, për të ilustruar kemi anulimin e konkurseve për drejtorë në dy shkolla fillore, në shkollën “Sadullah Brestoci” dhe në shkollën “Selami Hallaqi”, pasi që nuk kanë ardhur në shprehje të preferuarit e partisë që udhëheq me Gjilanin, përsëriten konkurset.
Isufi ka thënë se premtimi tjetër ishte edhe ai për ofrimin e tretmanit më të mirë mjekësor për qytetarët nuk është se ka ndryshuar shumë. Qytetarët duhet të paguajnë pandërprerë edhe barërat nga lista esenciale, tha ai për të shtuar se premtimet që janë mbajtur nga Kryetari i Komunës janë shndërrimi i ish objektit të komunës në muze, pjesërisht ndërtimi i çerdhes në lagjen “Dardania” , ku janë duke u zhvilluar punimet, pra bëhet fjalë për një çerdhe që ndërtohet me donacion, e të tjerat mbeten premtime. /2L ONLINE/