Kuvendi Komunal i Gjilanit, të martën ka shqyrtuar raportin e punës për vitin 2018 të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, i cili është përcjellë me një debat të gjerë dhe polarizues nga dy partitë më të mëdha opozitare (LVV e PDK).
Debati për raportin e kryetarit të Komunës, ka qenë mjaft polarizues. Dy subjektet kryesore opozitare, LVV e PDK, nëpërmjet shefave të grupeve, Nevzad Isufi e Riza Abdyli, kanë qenë kritike ndaj punës së qeverisjes komunale
Më poshtë keni të plotë, fjalën e Nevzad Isufit, Shef i Grupit të Anëtarëve të Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt opozitar, në lidhje me këtë raport.
***
Ne dëgjuam qasjen e pozitës për këtë raport njëvjeçar, ku sipas kësaj qasjeje gjithçka është në rregull, si është më së miri etj. Si gjithmonë mungon edhe qasja më e vogël kritike, madje edhe aty ku s’ka mundësi për përmendjes së mosrealizimit, faji hidhet te dikush tjetër. Edhe pse nga koha kur është përgatitur materiali për raportin e punës kanë kaluar më tepër se 2 muaj, ky raport nuk është plotësuar me shënimet më të një të tretën e muajit dhjetor dhe të punës së Drejtorive e njësive tjera për të cilat duhet të raportohet, pra një raport jo i plotë një vjetor.
Endhe pse nga koha kur sollët versionin e parë të raportit, keni pasur 2 muaj kohë, e në të cilin raport mungonte 10 ditëshi i fundit i dhjetorit, ju magjithatë në versionin tjetër të raportit nuk e keni plotësuar, por vetëm sa keni reduktuar për 1 të 3-en, këtë raport duke kjijuar shepnzime të panevojshme për kopertina e lidhje të re të të njëjtit material vetëm se të shkurtuar.
Por tash po i referohem konkretisht fjalës tuaj në raportin përmbledhës edhe unë duke përmendur disa çështje që ju keni prekur për t’u ndalur pastaj edhe te detajet e raportit të drejtorëve dhe drejtorive.
E para Kryetari, të gjithë Ju anëtarë të Kuvendit por edhe qytetarët e dinë tashmë për vonesat që janë bërë në formimin e qeverisë komunale, pavarësisht faktit që keni qenë vazhdues të të njëjtit pushtet. Pra u janë dashur rreth 5 muaj për të formuar qeverinë komunale, madje caktimi i disa drejtorëve ka zgjatur edhe më tepër se 6 muaj. Dhe për çfarë ka ndodhur e gjithë kjo vonesë, kur përsëri është vazhduar po thuajse me të njëjtit drejtorë, me disa ndryshime të vogla mbetet enigmatike. Pra qytetari nuk ka pasur një qeverisje të mirëfilltë, qoftë edhe formalisht në 5 muajt e parë të vitit 2018.
Kryetari, po thotë që ky vit është përcjellë me projekte, investime, konfirmime të fuqishme, por kur vjen puna për t’i përmendur ato konkretisht po del që ato janë ende projekte në perspektivë, por jo edhe si projekte të kryera ose përfunduara.
Ta zëmë se administrata ka kryer punët mirë nëse nuk konsiderohet projekt madhor arkiva elektronike, për cilat projekte tjera bëhet fjalë, kur ta zëmë në kohën e pushimeve kur kemi fluksin më të madh të qytetarëve e në veçanti ata nga diaspora, pikërisht atëherë nuk punojnë e-kiosqet, disa nga to ka kohë që janë hequr.
Ose përmendet autoparku dhe ulja e shpenzimeve që janë bërë e të gjitha këto kanë lidhje me konstituimin e vonë të qeverisë e jo aq me kursimet.
Në sektorin e shëndetësisë përmendet QKMF-ës, që është duke u ndërtuar e po thuhet që është planifikuar të funksionalizohet për vitin e ardhshëm, ndërsa planifikime kanë qenë që ai të përfundoj deri në fund të vitit 2018.
Edhe gjatë këtij viti kemi pasur mungesë të barnave nga lista esenciale, mungesë materialeve stomatologjike për 3 muaj dhe në aspektin e shërbimeve tjera s’kemi pasur ndonjë ndryshim të theksuar apo të veçantë.
Sa i përket aspektit humanitar dhe përkujdesjes për kategorinë me gjendje të rëndë ekonomike dhe bërja me shtëpi e afro 100 familjeve nga donacionet e qytetarëve është shumë mirë por në këtë raport është dashur të futen vetëm ato që janë ndërtuar gjatë këtij viti, sepse për vitet e kaluara tashmë është raportuar. Ana e saj negative është fakti që përkundër kërkesës sonë të disa hershme për të qenë transparent lidhur me mënyrën e grumbullimit dhe të harxhimit e menaxhimit të këtij fondi, nuk ka pasur as ka ende transparencë, prandaj po kërkojmë edhe sot që atë ta bëni transparent si për ne ashtu edhe për të gjithë qytetarët.
Në fushën e arsimit , të cilin po thuajse çdo vit thuhet se është prioritet, ndërsa në anën tjetër në praktikë me asgjë nuk mund të faktohet se është prioritet. Fillimi i sivjetmë i vitit shkollor u bë pa përgatitje të duhura të objekteve shkollore, pa renovime, pa shkolla të reja, pa pajisje kabinetike, pa rifreskim të pajisjeve të teknologjisë informative dhe mjeteve tjera për kryerjen e praktikës profesionale. Mirë që së paku është rritur numri i bursistëve përfitues, por kjo nuk është e mjaftueshme, kur dihet shuma simbolike e këtyre bursave. Poashtu me vetëm një sallë të re të shkollës “Rexhep Elmazi” nuk mund të mbulojmë mosrealizimin edhe të sallave, fushave e objekteve rekreative të parapara për të përfunduar këtë vit, pa përmendur edhe ato që tashmë është dashur kaherë të promovohen, si shkolla e mesme e muzikës, shkolla te Haxhajt, palestra në Zhegër etj.
Në fushën e tatimeve, vërtetë realizimi i përqindjes është i kënaqshëm, nëse është arritur ajo përqindje, dhe kjo mbase është arritur edhe në saje të thirrjes publike për mundësinë e përballjes së qytetarëve me përmbarues, nëse nuk i paguajnë tatimet, që i bie që ky është një lloj kërcënimi, ndërsa nuk iu është dhënë mundësia që paraprakisht ta programojnë borxhin e tyre, e në veçanti ata me gjendje më të vështirë ekonomike.
Ndërsa askund nuk përmendet fakti që borxhlinjtë më të mëdhenj në tatim mbeten edhe më tutje në institucionet e bizneset, por jo qytetarët individualisht apo e konomitë familjare.
DUPMM mendoj që përpos detyrës tejet të rëndësishme që ka në hartimin e planeve të ndryshme për nevoja të komunës e qytetit, sinë planin e zonave të gjelbëruara e projekteve ideore, hartimin e hartave zonale e të planeve detaje urbanistike, mendoj që në raste të caktuara ka, mbyllur sytë dhe ka lëshuar leje për ndërtime të larta në kundërshtim me planet e detajuara urbanistike, ose nuk kemi respektim të tyre nga pronarët dhe implementuesit e këtyre projekteve. Mendoj që kjo duhet të vërtetohet përmes dy drejtorive asaj të Urbanizmit dhe asaj të inspeksionit, e në veçanti nga kjo e dyta, e cila në bazë të asaj që duket në teren duket sikur të mos ekzistonte fare. Sepse në teren, lagje të ndryshme të qytetit çdo ditë mbijnë rrokaqiejt në hapësira të vogle, ku nuk ka hapësira gjelbërimi, as parqe fëmijësh e as parkingje. Për këtë nuk duhet të jesh kurrfarë eksperti që ta vëresh.
DUPMM për vitin 2018 ka pasur në plan Hartimin e planit zhvillimor komunal por kaloi 2018-ta dhe ky plan nuk është bërë. Ka pasur në plan hartimin e hartës zonale të komunës, as ky projekt nuk është përfunduar dhe sipas kësaj dinamike të punëve të kësaj drejtorie as këtë vit vështirë se do të përfundohet.
Keni pasur në plan hartimin e planit rregullues Zabeli 1, të paraparë për ta sjellë në Kuvend por këtë se keni bërë. Në të vërtetë krejt çka keni bërë gjatë këtij viti është Hartimi i planit rregullues Qendra 2, Qendra 3 dhe Lagjja e Spitalit, për të cilat ne si opozitë kemi paraqitur kundërshtitë e argumentuara por ju e keni proceduar në Kuvend, por pastaj nga Ministria është kthyer me vërejtje dhe rekomandime për evitimin e shkeljeve ligjore dhe procedurave, ndërsa pa u bërë asnjë korrigjim a përmirësim me shumicë votash edhe një herë keni vendosur që ashtu me shkelje ligjore përsëri ta aprovoni.
Pastaj projektet për parkun “Baja”, “Livadhet e Arapit” priten të hapen tenderat nënkupto asgjë konkrete ende. Projekti për objektin e administratës së përgjithshme, thuhet në proces-nënkupto s’është ende askund. Pastaj të papërfunduara janë shenjëzimi i rrugëve, hartimi i planit të studimit të fizibilitetit për instalimin e gazit natyror, pastaj hartimi iplanit të studimit për strategjinë e Mbrojtjes së ajrit nga ndotja, hartimi i projektit të rrethrrotullimit dhe Nënkalimit te objektet e spitalit, janë detyra të ardhshme të kësaj drejtorie apo siç u pëlqen drejtorëve të thonë për punët që nuk i kanë kryer janë në proces. Sipas raportit të kësaj drejtorie për shumë punë janë ende në fazën e konsultimeve, mbledhjen e të dhënave, takimeve të përbashkëta, vlerësimin e gjendjeve, të cilat tregojnë në të vërtetë në çfarë faze janë dhe sa larg kryerjes së këtyre projekteve janë.
Gjendja aspak më e mirë nuk është as te sektori i ndërtimeve në faqet 51, 52 dhe 53 të versionit të parë të raportit apo në faqen 37 të versionit të fundit të raportit. Kështu po të shikoni faqen 52 përmenden vetëm aktivitetet 6 mujore nga 1 janari deri 30 qershor, ku po përmend se janë dhënë 116 leje ndërtimi, ndërsa janë dhënë 18 leje rrënimi por ato janë vetëm leje, sepse askund nuk përmendet se janë ekzekutuar këto rrënime. Në faqen 53 kemi kërkesat e shqyrtuara për periudhën korrik-gusht 2018. Pra edhe këtu e kemi të raportuar një periudhë 2 mujore. Edhe këtu po përmend fenomenin e lejeve të ndërtimit, pra gjithsej 140 leje ndërtimi që do të thotë nga 70 leje ndërtimi për një muaj ndërsa siç mund ta shihni për 6 muajt e mëhershëm patëm vetëm 116 leje ndërtimi. Befason disproporcioni i punës dy mujore me atë 6 mujore të pjesës së parë të vitit. Edhe për këta dy muaj përmenden 14 leje rrënimi, po natyrisht asnjë e dhënë për ndonjë rrënim. Edhe një parametër tjetër interesantë, por për mua i pa shpjegueshëm është çështja e ankesave. Deri sa për periudhën 6 mujore kemi 58 ankesa, për korrik dhe gusht kur janë dhënë 140 leje nuk përmendet asnjë ankesë e vetme. Shtrohet pyetja çfarë në të vërtet paska ndodhur?!
Te raporti financiar në krye të kësaj tabele thuhet “Të dhënat financiare për DUPMM (në këtë periudhë janë inkasuar) por realisht nuk dihet cila periudhë. Pra një titull i pa qartë, ku fare nuk specifikohet periudha kohore.
Nga raporti i mësipërm duket se mungon një periudha e fundit 4 mujore, ndërsa sipas tabelës shihet që realizimet financiare janë të dobëta. Te asnjë lloj i të hyrave nuk kemi realizimi në 70%.
Bie në sy gjithashtuse si planifikimi ashtu edhe realizimi te të hyrat nga legalizimet janë 0%, deri sa në vitin e kaluar kanë qenë mbi 56.000 €. Po ashtu kemi gabime të llogaritjes së përqindjes.Kështu te komunalitë planifikim është 9.000€ dhe realizimi është 9.000€ d.m.th. kemi realizim 100% e jo 48.42% siç është paraqitur në tabelë. Sipas raporteve të veçanta del se kjo drejtori ka qenë e suksesshme, tepër e suksesshme vetëm harxhimin e buxhetit në mallra dhe shërbime, ku nga 55.000€ të planifikuara ka realizuar 85.000€ apo 154.55%. Kjo përqindje e lartë në harxhim të buxhetit në mallra dhe shërbime do të ishte dashur të ketë reflektim edhe në të hyra më të mëdha por ka ndodhur e kundërta. Pra një realizim tejet i dobët, ashtu siç edhe është llogaritur keq e dobët.
Në raportin e Drejtorisë së Shërbimeve publike, infrastrukturë dhe banim
Në faqen e parë të këtij raporti kemi një përshkrim të kompetencave të kësaj drejtorie dhe pothuajse në fund kemi një tabelë të thjeshtë ku janë paraqitur numri i kërkesave, ato që janë miratuar dhe ato të cilat janë në proces. Pothuajse në fund të faqes flitet për transportin dhe linjat urbane dhe taksitë dhe numrin e tyre, dhe për vazhdimin e kontratës 3 vjeçare për të njëjtit gjithsej 17 operator.
Në faqen 55 në numrin rendor II romak të raportit të parë, ndërsa në faqen 19 të raportit të dytë,kemi titullin Projektet kapitale, kurse në kllapa shpjegimi; kompanitë e mirëmbajtjes, përshkrimi i shkurtër i punimeve me vlera. Në këtë faqe pothuajse komplet kemi kopjimin të tekstit nga raporti i vitit të kaluar me pikë e presje, pra të raportit të vitit 2017 shihni faqen 40. Këtu as nuk janë ndërruar vitet sepse flitet për kontratën me kompaninë “Tali“ e cila kontratë atë kohë ishte nënshkruar më 25.11.2016 dhe vlente deri 25 mars 2017. Edhe vlera e Kontratës ishte 68,333.80€. pra bëhet fjalë për kontratën e vitit të kaluar dhe këto të dhëna kjo drejtori do të na i “shes” për raport të vitit 2018. Kjo është skandaloze është papërgjegjësi dhe e turpshme. Kopjimi i tekstit vazhdon edhe në pjesën ku flitet për pastrimin e rrugëve dhe mirëmbajtjen e parqeve dhe hapësirave të gjelbëruara, ku aty këtu kemi ndonjë ndërhyrje të me ndonjë fjali si përpjekje për kamuflim të kopjimit. Kështu deri sa në vitin e kaluar kompania për mirëmbajtjene ndriçimit publik ka qenë kompania “Toni“ tash e kemi kompaninë e njëjtë vetëm tash e Kompanisë Toni i është shtuar edhe Goni, pra Kompania “Toni Goni“.
Por një gjë del dhe dihet që është e sigurt, deri sa vitin e kaluar qytetarët kishim mbetur pa shërbimin e mirëmbajtjes së rrugëve dhe të hapësirave të gjelbëruara, sivjet kanë mbetur pa mirëmbajtje dhe sanim të ndriçimit publik në qytet, dhe ju tashmë e dini se në këtë kuvend në disa seanca kemi paraqitur ankesat e qytetarëve. Por Drejtoria e shërbimeve publike duket sikur do të shfajësohet kur thotë se këto projekte kanë shkuar në OSHP, pa shpjeguar pse pikërisht këta tender të kësaj drejtorie vazhdimisht dërgohen në OSHP.
Më poshtë, përkatësisht kur flitet Projektin ofrimi i shërbimeve të varrimit në komunë e Gjilanit, nga N.TSH. “Bereqeti“ në faqen 56, vlera e punëve të kryera llogaritet në 84,196.00€, por vetëm për periudhën 8 mujore. Pra një pasqyrë jo e plotë vjetore, ku mungon raportimi për 4 muaj. Madje nuk jepet asnjë shpjegim a kemi nënshkrim të kontratës së re, pasi që asaj të mëhershmes i kaluar afati dhe as a kemi vazhdimin e kontratës së mëhershme.
Në faqen 57 është paraqitur lista e kërkesave për inicimin e procedurave të prokurimit, ku me të vërtetë duke se shumë projekte kanë mbetur vetëm inicime. Në këtë tabelë nën numrin rendor 4 përmendet rrugët në lagjen “Fehmi Agani“ dhe mbase e keni të qartë që këto rrugë nuk janë kryer, dhe ne me kërkesë të qytetarëve e shtruam si problem edhe në seancën e fundit të viti kaluar.
Në numrin rendor numër 7 përmenden rrugët në lagjen e Zabelit, ndërsa këto rrugë në masën 80% kanë qenë të kryera në vitin e kaluar dhe natyrisht që edhe ky 20% i sivjetmë është dashur të kryhej vitin e shkuar, prandaj paraqitja si projekti i vitit 2018 është i gabuar dhe i pasaktë.
Përmendet rruga Livoq i Poshtëm – Cërrnicë, ku thuhet se është në proces ndërsa ne e dimë sa ka filluar në pjesën e fundit të muajit nëntor. Përmendet rruga e Kumanovës ku thuhet se në proces është faza e parë, që nënkupton që s’është kryer.
Ndërtimi i rrugës “Hysen Tërpeza“ në Arbëri thuhet se është kontraktuar, por as s’është filluar e as s’është kryer. Por nuk janë kryer rrugët as në Velekincë dhe as në rrugën “Mulla Idrizi“.
Po ndalem edhe në faqen e fundit nr. 59, ku flitet për sfidat. Nëse të gjitha sfidat e vitit 2018 janë të njëjtat me ato të vitit 2017, me përjashtim që këtë vit flitet për përcaktimin e lokacionit të varrezave, atëherë i bie që kjo Drejtori nuk po arrin të përmbush obligimet e veta nga se nga viti në vit po sfidohet me të njëjtat probleme. Nga të gjitha ato që u përmenden më lartë dhe nga sfidat, del se më tepër kemi një raport me kopjime nga raporti i viti të kaluar, me plot pasaktësi por edhe plotë projekte të papërfunduara me kohë, madje për disa as që është arritur të fillohen. Ndërsa gjendja e rrugëve, gjendja e shtretërve të lumenjve, në qytet dhe fshatra, munges e ujit të pijes në shumë fshatra, mungesa e ndriqimit dhe mosfunsionimi i tij, mosshtrirja e rrjetit të kanalizimit në disa lagje të qytetit, ujërat e zeza, janë tregues të punës së pamjftueshme të kësaj drejtorie.
Prokurimi i Komunës
Njëra ndër çështjet me rëndësi, madje me rëndësi shumë të madhe është çështja e Prokurimit.Është shumë e rëndësishme sepse aty të gjithë tenderët po paguhen me taksat e qytetarëve.Ndërsa përkushtimi i qeverisë komunale që të kemi një prokurim të përgjegjshëm e profesional është për keqardhje. Në radhë të parë prokurimi drejtohet me një ushtrues detyre të drejtorit që ka zënë atë vend në baza nepotiste. Së dyti nuk është i certifikuar për prokurim. Së treti aty punojnë edhe të punësuar me kontratë në vepër, ndërsa u lihen në dorë parat e buxhetit të komunës. Pra njëri nga institucionet me të rëndësishme të komunës, nga ku derdhen dhe përcaktohen shuma të mëdha të parasë publike për zgjedhjen e operatorëve të cilët do të kryejnë punë e projekte të rëndësishme infrastrukturore, shërbyese e furnizuese, u është lënë në drejtim njerëzve jo profesionale e të punësuarve të përkohshëm.
Është kjo zyra e prokurimit e cila në dy mandatet qeverisëse asnjëherë nuk ka sjellë në Kuvend planin e punës së tij edhe pse këtë e ka obligim ligjor, madje deri në këtë vit plani i saj ka qenë i njohur vetëm për qeverinë komunale, ndërsa i panjohur për ne si kuvend.Ndërsa në vitin që lamë pas vetëm nga gjysma e dytë e vitit e këndej është shpallur në fq. e internet të fq. zyrtare të komunës. Por ja që edhe pse është i shpallur publik përmes kësaj faqeje, nuk i përmbahet këtij plani as në pikëpamje të kohës së planifikuar të hapjes së tenderëve, as në pikëpamje të llojit të tenderit që është parashikuar të hapet.
Në anën tjetër dihet publikisht se drejtuesi e këtij prokurimi i mandatit të kaluar është dënuar për shkelje ligjore, por nga kjo qeverisje nuk është nxjerr asnjë mësim, sepse ajo edhe më tutje po drejtohet nga njerëz joprofesionistë dhe me të punësuar me kontratë në vepër dhe i njëjti vazhdon të bëjë në forma të ndryshme shkelje ligjore, pra në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret e prokurimit. Ndërsa tash do të përmend edhe konkretisht disa nga kontratat dhe shkeljet për të cilat bëhet fjalë:
Ushtruesit e detyrës pothuajse në në 90% të rasteve janë duke punuar jashtë afatit ligjor prej 3 muajve siç e parashe ligji, nëse për çdo të punësuar kemi një shkelje në momentin që tejkalohet 3 mujorshi i parë, por nëse kjo kjo tejkalohet edhe per 2 tremujorsha të tjerë, atëherë nuk kemi vetëm një shkelje por kemi 3 herë shkelje. Rasti konkret ështëme ushtruesin e detyrës së drejtorit të zyrës së prokrurimit, i cili aktualisht po punon në këtë detyrë, pa kualifikim dhe licencë, pra në mënyrë të jashtëligjshme. Por, ky nuk është rasti i vetëm që punon me kontratë në vepër në zyrën e prokurimit, por ka edhe të tjerë.
Shumica e të angazhuarve me kontrata mbi vepër kanë qenë pa procedura të rekrutimit, por personat vetëm janë marrë në punë pas asnjë procedurë. Shumica e e tyre janë angazhuar në pozita të rregullta në shërbimin civil (çka është e ndaluar) dhe jo për punë specifike (për çka kërkohet me ligj); Numri i të punësuarve me kontratë në vepër deri më tash ka qenë 50, nëse në ndërkohë nuk është rritur, që është një numër shumë i madh për komunën tonë.
Pra për numrin e të punësuarve me kontratë në vepër Gjilani zë vendin e dytë në nivel të komunave të Kosovës, kjo do të thotë më shumë se Prishtina e cila është mbi pesë herë më e madhe se Gjilani. Por për këto nuk ka asnjë fjalë në raportin e Kryetarit, natyrisht gjërat që nuk janë në rregull, duhet mshehur dhe duhet mbajtur sa më larg edhe anëtarëve të Kuvendit por edhe të qytetarëve, sepse kjo është transparenca e komunës sonë. Dhe është e kuptueshme se të gjithë të punësuarit me kontratë në vepër paguhen nga buxheti për mallra dhe shërbime, në mënyrë që edhe këtu të kamuflohet e të mos dihet numri i saktë të punësuarve me kontratë në vepër.
Drejtoria e shëndetësisë dhe mirëqenies sociale
Kjo drejtori në formën e parë të raportit prej 18 faqesh, në raportin e dytë e ka të reduktuar në vetem 2 faqe. Në këtë version të dytë është hequr. Si duket është penduar që ka ofruar ato informacione dhe ka vendosur që në versionon e dytë ta shkurtoj në në mënyrë drastike. Mbase mund të mos u pëlqej por unë nuk kam se si të mos i referohem edhe materialit të parë të këtij raporti, sepse ky i fundit është tepër i mangët. Por do i referohem edhe materialit të dytë të shkurtuar për shkak të dallimeve të mëdha që kanë njëri me tjetrin.
Në versionin e fundit të raportit janë hequr materialet e zyrës për shërbime publike, të qendrës kryesore të mjekësisë familjare dhe të qendrës për punë sociale. Pra është e njohur që qendra e mjekësisë familjare është kompetencë e pushtetit komunal, madje edhe edhe institucion me rëndësi në shërbim të qytetarëve.
Por le të fillojmë nga banimi social. Në versionin e parë na paraqitet një tabelë për dy muajt e fundit të vitit 2017 dhe 12 muajt e 2018-tës, ku shuma e përgjithshme është 51,217.00€. Kjo shumë nuk përputhet me shumat e veçanta në tabelë për 2837 euro, sa ka qenë edhe shuma për pagesë një mujore për 37 familje gjatë vitit 2017.
Në veriantin e vundit të raportit vetëm përmenden pagesat e qirasë për 48 familje, por nuk jepet asnjë shumë në vlerë eurosh.
Në raportin e parë thuhet se për meremetimin e shtëpive me gjendje të rëndë sociale janë shpenzuar 21.737.34€, (shi h faqen 22), ndërsa në raportin e fundit për këtë qëllim thuhet se janë ndarë 38.250€ (faqe 31). Janë në pyetje mbi 16.515.66€ dallim. Nuk e di cilin duhet ta marrim si të saktë, prandaj këto sqarime mbase mund të na jap drejtori.
Deri sa në raportin e parë( në faqen 22) nga 625 kërkesat për barëra janë dhënë 77.047,80€ në raportin e fundit të shkurtuar, këto kërkesa dhe kjo shumë eurosh nuk përmenden fare, përpo që thuhet se përfituesit zgjedhen përmes komisionit profesional prej 5 anëtarësh nga te cilët 3 mjek.
Në faqen 22 dhe 23 të raportit të parë thuhet se shoqata dhe OJQ , gjithësjt 17, u janë ndarë 35.114.00€ e që në të vërtetë janë 34.614€, duke i llogaritur në bazë të tabelës, ndërsa në raportin e fundit, faqe 31, thuhet se nga 11 OJQ sa kanë aplikuar, kanë përfituar vetëm 9 OJQ dhe shuma e tyre është 30.000€.
Duke u bazuar në këto të dhëna të të dy raporteve që na vijnë nga e njëjta drejtori, mund të them se është një raport tejet kontradiktor dhe konfuz me vet të dhënat që paraqet. Madje mund të thuhet se nuk është hera e parë që nga kjo drejtori raporte me mungesa dhe pasaktësi financiare, prandaj një këshillë dashamirëse nga unë është që drejtori në të ardhmen mos të ua lë në dorë raportimin të njëjtëve njerëz, ngase përgjegjësia është e drejtorit.
Drejtoria e inspeksionit
Si te shumica e drejtorive edhe te kjo drejtori që siç këtë vit ka marrë stausin e drejtorisë, në raprotin e fundit ka reduktuar materialin në krahasim me materialin e më hershëm të këtij raporti, ndonëse shifrat edhe këtu mbeten të njëjta përgjithësisht. Pra as në këtë drejtori nuk është raportuar për 10 ditëshin e fundit të dhjetorit. Kjo i bie që ose inspektorët kanë pushuar ose qytetarët nuk janë marrë me asgjë gjatë këtij 10 ditëshi.
Në raportin e fundit, kuptohet edhe këtu të reduktuar pjesa e raportit që ka të bëjë me inspeksioni e ambientit. Mbase se kjo kësaj drejtorie i është dukur e parëndësishme ose nuk kanë pasur çka të thonë.
Pra edhe te kjo drejtori nuk kemi më shumë se 2 faqe raport. Për inspeksionin e ndërtimit i cili do të duhej të ishte ai që ka më së shumti kapunë brenda kësaj drejtorie, përmbyllet me katër-pesë fjali, duke numruar procesverbalet, nr. E lejeve të ndërtimit, vendimet për rrënim, inicimin e procedurave gjyqësore. Natyrisht që këtu këta numra s’thonë asgjë.
Në versionin e fundit nuk ka asnjë fjalë për inspektimet në fshatra e komunës, sikur ato të mos ekzistonin.
Asnjë fjalë dëmtimet e ambientit, për të cilat ne kemi diskutuar edhe në seanca, si p.sh. dëmtimet e ambientit në fshatin Zhegër.
Me dy tri fjali është përfshirë inspektimi dhe gjendja në të gjitha shkollat tona, përkatësisht përshkrimi i gjendjes sanitare si jo e knaqshme, madje sipas versionit të parë të raportit ka dhënë disa rekomandime, por që asnjëherë si ka interesuar nëse këto rekomandime kanë gjetur zbatim.
Kjo drejtori di të numëroj edhe konkluzionet dhe vendimet për ndalim të punimeve ndërtimore, vendimet për rrësim, por që asnjë nga to nuk ekzekutohen. Të gjithë jemi dëshmitarë të lulzimit të ndërtimeve të larta gjithandej, madje në kundërshtim edhe planet e detajuara urbanistike të aprovuara në këtë kuvend. Qytetarët nuk kanë nevojë të shohin këto letra, ata shohin çdo ditë se si ndërtohen rrokaqiej ngjitur me njëri-tjetrin, ku nuk lihet hapësira as për t’u sjellur rreth objektit e lëre më për hapsira të tjera të parashikuara si standarde.Pra gjendja nuk është aspak me e mirë se ajo kur kjo drejtori nuk ekzistonte fare.
Askund në këtë raport nuk flitet për borgjet e mëdha që edhe më tutje ka komuna me vite për shpronësimet e pronave të paluejtshme të qytetarëve. Askund në këtë raport nuk flitet për borgjet që u ka punëtorëve të pensionuar të arsimit. Askund nuk flitet se cilët janë borgjlinjtë e mëdhenj të komunës. Nuk flitet pra për borgjet milionshe të komunës dhe as për mënyrën dhe as afatet e shlyerjes së tyre. I vetmi borgj që përmendet nga avokati i komunës është ai borgjeve kontigjente, i cili tejaklon 9 milion e 8 qindmijë eurot dhe sikur vetëm ky të ishte, do të ishte shumë i madh për komunën tonë.