Qeveria ndan 100 mijë euro për themelimin e Qendrës Përkujtimore për gjenocidin mbi shqiptarët “Bllaca 1999”

Qeveria ndan 100 mijë euro për themelimin e Qendrës Përkujtimore për gjenocidin mbi shqiptarët “Bllaca 1999”

Në përkujtim të “Epopesë së UÇK-së” dhe rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe të familjes së tij, Qeveria e Republikës së Kosovës e ka filluar mbledhjen e sotme me një minutë heshtje dhe nderim për sakrificën e familjes Jashari dhe të gjithë atyre që ranë në luftën për liri. Kryeministri ka kërkuar nga të gjithë resorët qeveritarë dhe institucionalë në përmbushjen e obligimeve dhe angazhimeve në favor të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë 40 mijë euro për të përmbushur kontributin vjetor të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitin 2019 në Këshillin për Bashkëpunim Rajonal, me seli në Sarajevë.

Republika e Kosovës bën pjesë në grupin prej 4 për qind të shumës totale të vendeve të Evropës Juglindore që është përcaktuar formalisht në samitin e Bukureshtit, në nëntor të vitit 2006.

Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka miratuar plotësim ndryshimin e vendimit për themelimin e Qendrës Përkujtimore për gjenocidin mbi shqiptarët “Bllaca1999”. Me plotësim ndryshimin e sotëm të vendimit, ndahen 100 mijë euro për realizimin e këtij projekti.

Me vendimin që ka miratuar sot Qeveria e Republikës së Kosovës, është autorizuar Ministri i Financave që të aprovojë transfere nga nën programi “Shpenzimet e paparashikuara” në shuma individuale deri në shumën prej 40 mijë eurove për vitin 2019 të ndarjeve buxhetore.

Qeveria i ka rekomanduar presidentit që të autorizojë Ministren e Integrimit Evropian që të nënshkruajë Marrëveshjen financiare për IPA 2018 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Nisma për lidhjen e “Marrëveshjes për punën fitimprurëse të anëtarëve të familjeve të anëtarëve të një misioni diplomatik apo konsullor” me Republikën e Francës, ka marrë miratimin në parim në mbledhjen e sotme. Gjithashtu edhe nisma për nënshkrimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Tajlandës për mbrojtjen e ndërsjellë të investimeve ka marrë mbështetjen në parim nga kabineti qeveritar.

Në mbledhjen e sotme Qeveria ka aprovuar në parim nismën për anëtarësim si “Anëtar i asociuar” në Zyrën Ndërkombëtare të Peshave dhe Matjeve.

Miratimin në parim gjithashtu e ka marrë edhe marrëveshja ndërkombëtare për shmangien e tatimit të dyfishtë dhe parandalimin e evazionit fiskal lidhur me tatimin në të hyra dhe kapital, në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Portugalisë.

Kabineti qeveritar është informuar në mbledhjen e sotme me zbatimin e Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së gjatë vitit 2018. Programi është ligjërisht i detyrueshëm për të gjitha institucionet në Republikën e Kosovës në kuadër të kompetencave të tyre.

Ministria e Integrimeve Evropiane monitoron zbatimin e Programit dhe mbledh raporte të rregullta të cilat shërbejnë për vlerësimin dhe përmirësimin e zbatimit të programit. Sipas këtyre raporteve del se aktivitetet e Programit për vitin raportues janë zbatuar në nivelin prej 68,33 për qind, ndërsa 31,77 për qind e aktiviteteve nuk kanë arritur të zbatohen.

Kryeministri ka prezantuar idenë për organizimin e një takimi të kryeministrave të vendeve të rajonit për të diskutuar procesin e integrimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, dhe në të cilin do të ftoheshin edhe përfaqësues nga Komisioni Evropian.

Kryeministri po ashtu ka kërkuar informata për zbatimin e Ligjit të Prokurimit nga Ministria e Financave, për përfshirjen e komuniteteve pakicë në Policinë e Kosovës si dhe kërkesat e Shoqatave të dala nga lufta.

Zëvendëskryeministri Fatmir Limaj ka kërkuar angazhimin e ministrive të veçanta në procesin e realizimit të marrëveshjeve të arritura nga mbledhjet e përbashkëta të Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.

KOMENTE