Bajram Isufi, kryetar i klubit tha se bashkë me kryesinë e sapoformuar, shtabin teknik dhe hendbollistët kanë marrë nismën që të riaktivizojnë klubin dhe të nisin garat sepse hendbolli në Zhegër ka traditë të gjatë, por shkaku i kushteve aktiviteti ishte ndërprerë në vitin 2004.
“Me angazhimin e kryesisë së klubit dhe me përkrahje të institucioneve komunale e sidomos të kryetarit të komunës, Qemajl Mustafa, të Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sporte dhe të donatorëve, por edhe të Federatës së Hendbollit të Kosovës, besohet se hendbolli në Zhegër ka të ardhme të sigurt”, ka thënë Isufi.
Sipas tij, tani më ekipi ka arritur që të mbledh mbi 30 hendbollistë, por që brengë edhe më tej mbetet zhvillimi i ndeshjeve në ambient të hapur, andaj për këtë qëllim edhe është mbajtur një takim me ministrin e Kulturës, Rinisë e Sportit, Lutfi Haziri, që edhe Zhegra të bëhet me palestër sportive dhe janë marrë premtime se një gjë e tillë shumë shpejt do të jetësohet.
“Zhegra e meriton që të ketë një palestër sportive, ngase ka mbi 6 mijë banorë e nëse asaj i shtohet edhe fshatrat përreth numri i banorëve arrin në 13 mijë”, ka thënë Isufi.
Përndryshe, deri më tani KH Zhegra ka gjetur edhe përkrahjen e Federatës, që drejtohet nga Mexhit Devaja, i cili këtij klubi i ka dhuruar shtyllat, rrjetat dhe 30 topa hendbolli.
“Në Zhegër besojnë se me pranimin e plotë të hendbollit tonë në arenën ndërkombëtare, përkrahje të rritet edhe më shumë”, ka thënë në fund Isufi./2lonline/