(2L ONLINE) – Dy nga katër këshilltarët e Lëvizjes Vetëvendosje, që janë pjesë e asamblesë komunale të Gjilanit, Nevzad Isufi dhe Arjeta Rexhepi, me rastin e shënimit të nëntë vjetorit të themelimit të Vetëvendosjes në Gjilan kanë folur për aktivitetin e përgjithshëm të kësaj Lëvizjeje me theks të veçantë angazhimit të tyre në Kuvendin komunal të Gjilanit.
Nevzad Isufi, që njëherësh është edhe shef i Grupit të Këshilltareve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ka thënë se gjatë kësaj periudhe kanë shtruar shumë çështje si për sa i përket transparencës, zbatimit të rregulloreve komunale, ndarjes së buxhetit, përfaqësimit përkatës në komitete e të tjera.
“Kemi ngritur çështje nga më të ndryshmet si në fushën e transparencës së punës së Kuvendit komunale, kështu është si shembull mund të përmendet bërja publike e punës së seancave të incizuara dhe të paraqitura në websajtin e Komunës, ngritja e çështjeve të ndryshme të arsimit, shëndetësisë, shërbimeve publike, punës së drejtorive, rreth çështjes së zbatimit apo moszbatimit, shkeljeve të vendimeve të Kuvendit komunal, formës së punës inspektoratit të ndërtimit, menaxhimit të hapësirave publike”, ka thënë Isufi.
Sipas tij, lirisht mund të thuhet se deri më tash si Kuvendi Komunal ashtu edhe përfaqësuesit e vetëvendosjes në Komitete, gjatë gjithë kohës kanë pasur qasje konstruktive dhe të argumentuar, pavarësisht nëse janë pranuar apo nuk janë pranuar nga pozita.
Këshilltarja tjetër e Vetëvendosjes, Arjeta Rexhepi, ka folur për pozitën e gruas përbrenda kësaj Lëvizjeje duke thënë se edhe në Kuvend përfaqësim gjinor nga Vetëvendosje është 50 me 50 për qind
Rexhepi theksoi se pozita e gruas në Lëvizjen Vetëvendosje pasqyron shkallën e demokracisë dhe avancimit politik të Lëvizjes.
“Gratë dhe vajzat në lëvizje janë të barabarta si në punë, në aktivitete po ashtu është në vendimmarrje. Ato janë përkrah burrave në të gjitha aktivitetet dhe aksionet që i organizon Lëvizja. Gratë në Lëvizje gjenden në të gjitha pozitat vendimmarrëse të këtij organizimi politik, po ashtu edhe në përfaqësimin e Lëvizjes në institucionet lokale dhe qendrore”, theksoi Rexhepi. /2L ONLINE/