/2L ONLINE/ – Nevzad Isufi, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Vetëvendosjes, ka adresuar kritika në adresë të pushtetit në Gjilan për çështjen e arsimit në këtë komunë. Duke iu referuar deklarimeve të zyrtarëve të komunës se edhe në Komunën e Gjilanit janë bërë të gjitha përgatitjet për fillim sa më të më të mirë të vitit shkollor, Isufi tha se realiteti e dëshmon të kundërtën sepse në këtë segment kemi një mal problemesh. Sipas tij, promovimi pompoz i prerjes së shiritit të ashtuquajturit “kampus” të shkollave të Mesme, po zbehet që në ditët e para të fillimit të vitit shkollor, sepse përgatitjet për fillim të vitit shkollor kanë mangësi në gjërat më elementare.
“Sa për ilustrim po përmend që të hënën fillon java e dytë e ditarët e punës mungojnë në shkolla të mesme, mungojnë fotokopjuesit, shtypësit ose ata janë pa ngjyrë. Ka dy vite resht që për arsye të panjohura, furnizuesit për këtë material, letër, etj., nuk zgjidhet me kohë, kështu që shkollat mbeten pa një ndër materialet bazë të punës së tyre në periudhat të punës kur ato u duhen më së shumti. Po kështu qëndron puna edhe lidhur me pajisjet kabinetike, të cilat ose mungojnë fare ose janë të vjetruara e të amortizuara”, ka thënë Isufi.
Sipas tij, ky është pak a shumë ambienti në të cilin nxënësit dhe arsimtarët duhet të fillojnë punën në disa shkolla. Ky është ambienti ku nxënësit duhet të kalojnë pjesën më të madhe të kohës, e ku ata presin të marrin dhe tregojnë njohurit dhe dituritë e tyre.
“Natyrisht, që edhe ambienti i jashtëm rrethues është i rëndësishëm dhe nuk është pa ndikim, por përmbajta e vërtet dhe puna e mësimi bëhen brenda shkollës, brenda kushteve të përmbushura për punë me nxënës dhe për arsimtarë, ku edhe shpenzohet pjesa më e madhe e kohës së këtyre subjekteve, prandaj edhe përqendrimi e përkushtimi në kushte sa më të mira është dashur të bëhet këtu, për të realizuar sa më mirë dhe sa më shumë mësimdhënien dhe mësimnxënien”, ka thënë Isufi i vetëvendosjes.
Ai tha se edhe Kryetari i Komunës, me rastin e prononcimit për fillimin e vitit shkollor por edhe përurimit të disa punëve fillestare të ashtuquajturit “kampus” të shkollave të mesme tha që drejtuesit e shkollave duhet të jenë zot shtëpie në shkollë, porse si mund të flitet për zot shtëpie për ata drejtues shkollash, të cilët, nuk pyeten, konsultohen a informohen se çka po punohet në oborrin e tyre, pse po u merret, e tjetërsohet e ngushtohet hapësira pa u pyetur, pra, po ndërhyhet në atë që quhet autonomi e shkollës, madje edhe kur drejtuesit pyesin se çka po ndodh nuk u jepet asnjë përgjigje. Por, për fat të keq nuk po pyeten as pronarët e vërtet të këtyre hapësirave e që janë qytetarët, pastaj janë punëtorët arsimorë ca prej të cilëve kanë filluar punën dhe janë pensionuar në këto shkolla.
Pra, shton Isufi, një bukuri e jashtme për sy të kalimtarëve fillon të zbehet sapo të shohësh si nuk është menduar mirë si do të funksionojnë disa gjera. “Kampusi “ sipas projektit ka pësuar ndërhyrje e ndryshime, të cilat nuk kanë qenë të parapa.
“Është shtyrë hyrja më në brendësi hapësirës shkollore për shkak të interesave të objekteve të investitorëve privat, të cilët kanë ndërtuar duke mos respektuar kushtet e ndërtimit. Njësoj është vepruar edhe në hapësirat e shkollës në afërsi të marketit “Viva”. Si një kampus i vetëm i paraparë tash ndahet në dy pjesë me një diagonale madje edhe me ndarje fizike me grila hekuri. Edhe më tutje disa shtëpi private edhe më tutje kanë hyrje- dalje në oborret e shkollave e që nënkupton se kampusi është jo funksional”, thotë ai.
Isufi shton tutje se shkollat e mesme nuk janë trajtuar njësoj. Kështu shkolla e mesme e lartë “Mehmet Isai”, e cila është shkolla më e vjetër ndër shkollat e mesme, pas tërmetit të vitit 2004, nga ekspertët është konstatuar se nuk do të duhej të ishte e përdorshme për shfrytëzim, tash mbetet më e diskriminuara, pa hyrjen e saj natyrore, pa bufenë për nxënës që shkollat tjera e kanë. Për këtë arsye ka pakënaqësi të mëdha nga të gjithë mësimdhënësit dhe punëtorët tjerë, të cilët edhe kanë bërë kërkesë në Drejtorinë e Arsimit për të shqyrtuar çështjen e hyrjes zyrtare për punëtorët arsimor të shkollës, por kjo kërkesë është injoruar nga Drejtoria e Arsimit dhe për këtë ka pasuar edhe protesta e arsimtarëve ne ditën e dytë duke mos shkuar në orë të mësimit.
“Ne e kuptojmë që ushtruesja e detyrës së Drejtorit të Arsimit z. Shqipe Haziri ka një mal problemesh, e sidomos në fillim të punës së saj në një detyrë të re me përgjegjësi të mëdha, por nuk është e drejtë që të injorohen kërkesat e shkollave e të kolektiveve të tyre, për të cilat ajo është e thirrur që t’i zgjidh e nëse nuk mund t’i zgjidh atëherë të diskutoj dhe të provoj t’u jap zgjidhje”, ka thënë Nevzad Isufi, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Vetëvendosjes. /2L ONLINE/