Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Komunës së Gjilanit, duke e vërtetuar kështu aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, e cila e kishte refuzuar dy herë si të pabazuara prapësimet e Komunës së Gjilanit.
Gykata e Apelit, vlerëson se gjykata e shkallës së parë, ka vlerësuar drejtë provat të cilat ka pasur në dispozicion në shkresat e lëndës të ofruara nga palët ndërgjyqëse kur e ka refuzuar si të pabazuar prapësimin e debitorit duke dhënë arsye përkatëse në pjesën arsyetues të aktvendimit të atakuar., thotë Bashkim Isufi.
AI bënë të ditur se më datë: 25 korrik 2017, Kryetari i Komunës së Gjilanit, kishte nxjerr vendim për anulimin e konkursit për pozitën “Udhëheqës i sektorit administrativ” në kuadër të Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, pa dhënë asnjë arsyetim për anulimin e konkursit.
Isufi thotë tutje, se në lidhje me këtë vendim të kundërligjshëm të Kryetarit të Komunës, ai i drejtohet Komisionit Komunal për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave të Komunës së Gjilanit, i cili komision nuk vendos brenda afatit të paraparë ligjor dhe kundër heshtjes së këtij komisioni me date 16 tetor 2017 parashtron ankesën në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me datë 14 dhjetor 2017 merr vendimin me numër A/02/656/2017 me të cilin vendim detyrohet Komisioni për Zgjidhje e Kontesteve dhe Ankesave i Komunës së Gjilanit që brenda afatit prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh të bëjë shqyrtimin e ankesës së ankuesit Bashkim Isufi me numër 02-016/01-0087719-17 të datës 23.08.2017.
Komisioni për Zgjidhje e Kontesteve dhe Ankesave i Komunës së Gjilanit, duke bërë zbatimin e vendimit me numër A/02/656/2017 të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, me date 05.01.2018 merr vendimin me numër 02-016-1750 me të cilin vendim hedhet poshtë si e pa pranueshme ankesa e ankuesit Bashkim Isufi me arsyetimin se akti administrative i ankimuar është i ligjshëm dhe i rregullt.
I pakënaqur me vendimin e datës 05.01.2018 të Komisionit për Zgjidhje e Kontesteve dhe Ankesave të Komunës së Gjilanit, më date 02.02.2018, Isufi parashtron ankesë nëpërmjet Postës së Kosovës në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
“Kolegji i ankesave i Këshilli të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, konstaton se Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave i Komunës së Gjilanit me rastin e nxjerrjes së Vendimit me numër 02-019-1750 të datës 05.01.2018 ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit Nr. 03/L=149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, Ligjin Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative, Rregullores Nr. 05/2011 për Procedurat e Zgjidhjes së Kontesteve dhe Ankesave dhe Rregullores Nr. 02/2010 për Procedurat e Rekrutimit në Shërbimin Civil, sepse nuk ka vërtetuar drejtë gjendjen faktike dhe juridike”, thotë Isufi.
Ndërsa, obligon Kryetarin e Komunës së Gjilanit, që nga dita e pranimit të vendimit të tij, brenda afatit ligjor prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh të bëj zbatimin e vendimi duke e obliguar Komisionin Përzgjedhës të Shërbimit Civil që të përfundoj procesin e rekrutimit për pozitën “Udhëheqës i Sektorit Administrativ” në Drejtorinë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit.
Duke parë që nuk është duke u zbatuar vendimi i Këshillit të Pavarur Mbikqyrës të Shërbimit Civil, Bashkim Isufi bënë me dije se iu është drejtuar Gjykatës Themelore në Gjilan, duke kërkuar ekzekutimin e vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Edhe në këtë rast kërkesa e tij, thotë Bashkim Isufi, është konsideruar e bazuar nga Gjykata Themelore, por prapë nuk është respektuar as Aktvendimi i Gjykatës Themelore dhe rasti ka shkuar në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.
Tani, Bashkim Isufi thotë se ka pranuar Aktvendimin e formës së prerë nga Gjykata e Apelit, e cila ka vërtetuar Aktvendimin e shkallës së parë si të drejtë. Prandaj, duke u bazuar në të gjitha vendimet e organeve Administarive dhe Gjyqësore të formës së prerë, Kryetari i Komunës sipas tij është i obliguar që të zbatojë Aktvendimet gjyqësore të formës së prerë, duke mos bërë shkelje ligjore, me pasoja juridike. /2LONLINE.com/