Komiteti për menaxhimin e emergjencave në Gjilan, sot është mbledhur për të analizuar situatën pas vendimit të qeverisë për masat lehtësuese të fazës së tretë, të zhvillimit të jetës normale në Kosovë.
Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, i shoqëruar edhe nga të gjithë përfaqësuesit e institucioneve lokale e rajonale, në adresimin para mediave, ka thënë se janë në koordinim të plotë për zhvillimet e fundit dhe njëkohësisht kujdesin për rastet që janë ende në vetizolim për parandalimin e Covid-19.
“Përkundër vendimit të qeverisë për masat lehtësuese në fazën e tretë, ne sot kemi diskutuar për gjendjen e 27 rasteve të cilat edhe më tutje në bazë të rekomandimeve profesionale, janë duke qëndruar në vetizolim, deri në shërimin e plotë nga Covid-19. Gjendja shëndetësore e tyre është stabile dhe me simptoma të lehta. Këto dy-tri ditë do të bëhet përsëri ritestimi i tyre dhe shpresojmë shumë që rezultatet të jenë negative. Drejtoria e Shëndetësisë është në kontakte të vazhdueshme dhe po trajtojnë secilën kërkesë që vjen nga këto familje, duke i falënderuar për bashkëpunimin që kanë treguar gjatë gjithë kësaj kohe”, ka thënë Ismajli.
Ai ka potencuar se sot në Gjilan ka filluar të normalizohet jeta, ku pjesa më e madhe e bizneseve që lejohen të punojnë në bazë të këtij vendimi, kanë filluar punën dhe aktivitetin e tyre, që po përcillet nga puna në terren e inspektorëve komunalë, në bazë të rekomandimit të masave të parapara të veprimit.
“Bizneset e Gjilanit janë duke respektuar masat lehtësuese dhe konform rekomandimeve profesionale. Ka shumë paqartësi në vendimin e mbrëmshëm, por zyrtarisht do t’i drejtohemi Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asaj të Shëndetësisë për të vepruar në bazë të planit që ka Komuna e Gjilanit për këtë fazë”, ka njoftuar Ismajli.
Në njoftimin për çerdhet që me vendimin e qeverisë mund të fillojnë sot, Gjilani nuk do ta bëjë këtë, sepse është vlerësim i profesionistëve, që ato duhet të dezinfektohen dhe të sigurohet plotësisht që gjithçka është gati për t’i hapur ato.
“Sot dhe nesër do ta bëjmë dezinfektimin e çerdheve dhe vlerësimi profesional se a është gjithçka në rregull për të filluar puna, në mënyrë që fëmijët e Gjilanit të jenë të sigurtë në Institucionet parashkollore”, ka njoftuar ai.
Ismajli ka sqarimi ne tij edhe sa i përket realizimit të projektit në qendër të qytetit, që ditëve të fundit janë ngritur nga individë dhe grupe të ndryhme politike.
“Në qendër të qytetit të Gjilanit është duke u realizuar projekti i zgjerimit të rrugës, rregullimit të trotuarit dhe njëkohësisht ruajtja e hapësirës publike. Duhet të hiqet dilema e qytetarëve apo e atyre janë ndikuar nga deklaratat opozitare duke rënë në grackën e opozitës se ‘po prishet parku e kualifikime të tjera’. Parku mbetet i njejti, hapësira gjelbëruese gjithashtu, por e mira është investimi i infrastrukturës nëntokësore, rregullimi i trotuarit sipas standardeve dhe i rrugës njëkohësisht”, ka thënë mes tjerash, nënkryetari Arbër Ismajli.
https://www.facebook.com/151878248156447/videos/259942388687883/