Në debatin e organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” me temën: ”Si ta mbrojmë konsumatorin gjilanas”, u shpërfaq interesimi dhe shqetësimi qytetar për të ditur më shumë rreth kësaj çështje dhe kushteve higjienike dhe sanitare në restorante, hotele, kafiteri…, si dhe për veprimet që po i marrin institucionet për të mbrojtur konsumatorin.
Pjesëmarrës dhe debatues me qytetarë të pranishëm në këtë debat ishin edhe Arbër Ismajli nënkryetar i komunës, Nevzad Rushiti drejtor i Inspekcionit dhe Nysret Hajrullahu drejtor i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, ku ditë më parë ishin shtruar dhjetëra qytetarë për të kërkuar ndihmë pas një helmimi që kishin pësuar në një restorant.
Nënkryetari, Arbër Ismajli tha se konsumatori gjilanas do të mbrohet me të gjitha mjetet ligjore dhe nuk do të lejojmë që në dyqane, minimarkete, hotele, restorante apo veprimtari tjera shërbyese të ketë mall pa afat apo mall të kontrabanduar.
Ismajli ka thënë e tërë Kosova po ballafaqohet me mungesë të higjienës ndërsa Gjilani në mungesë të statutit për një kohë të gjatë nuke kishte inspekcioni komunal si drejtori në vete. “Tani e kemi një përparësi sepse e kemi ekipin dhe kemi njerëz që mund të kujdesen për konsumatorin e atakuar” tha Ismajli.
Ismajli tha se është një plus i madh që vetëdija qytetare po ngritet sepse kemi shumë denoncime nga ana e qytetarëve, e rastin më të freskët e kishim kur ishte në pyetje çmimi i bukës. Ai tha tutje se do të monitorohen të gjitha situatat dhe kemi kapacitete të plota për ta monitoruar gjendjen sanitare dhe higjienike.
“Mund të ketë parregullsi, ka produkte me afat të skaduar, por jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi dhe obligime dhe të ndëshkohen të gjithë ata që bien ndesh me ligjin” tha Ismajli.
Kurse, Nysret Hajrullahu drejtor në spitalin e Gjilanit tha se kemi qenë të gatshëm edhe rreth kuadrit profesional dhe furnizimit me barna në rastin e fundit të helmimit. “Edhe pse ishte sfidë për ne sepse është dashur kuadër shtesë dhe dhoma speciale. Rreth 55 të sëmurë ishin të hospitalizuar kurse mbi 100 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Për ne ky rast ishte alarm dhe na obligon që të përgatitemi maksimalisht sepse ky fluks ndodhë shumë rrallë por ne duhet të jemi gati”, tha Hajrullahu.
Nevzad Rushiti drejtor i inspekcionit tha se temperaturat e larta dhe ardhja e mërgimtarëve e rrisin rrezikun edhe më shumë dhe për këtë arsye ne edhe kemi themeluar Task Forcën e kujdestarisë.
“Gjendja nuk është alarmante sipas inspektorëve sepse asnjë therje të kafshëve në komunën e Gjilanit nuk bëhet pa ndërhyrjen e inspektorëve. Tri qendrave tregtare u është asgjësuar mishi dhe kanë ndodhur edhe ndëshkimet edhe dënimet dhe nuk do të ketë tolerime në asnjë rast” është zotuar Rushiti.
Fadil Ibrahimi mërgimtar nga Suedia pati vërejtje rreth sjelljes ndaj mërgimtarëve nga ana zyrtarëve komunal rreth dokumenteve në administratë. Shaban Terziu nga shoqëria civile tha se inspeksioni duhet t`i vizitojë minimarketet më shpesh. Nuhi Nuhiu tha se inspeksioni ka staf të reduktuar. “Dogana është problemi kryesor sepse mungojnë laboratorët fillestar. Jemi në duar të tugjarëve sepse furnizohemi nga njerëz të dyshimtë të cilëve ju intereson vetëm xhepi. Duhet të vetëdijesohet qytetari dhe duhet të jemi më të përgjegjshëm” tha Nuhiu.
Jonuz Cana tha se ushqimet duhet të kontrollohen, por edhe konsumatori duhet të ketë kujdes. “Duhet të kontrollohen kafiteritë, lokalet, hotelet, restorantet dhe mos të ketë assesi lëshime e as tolerime” tha Cana.
Demir Krasniqi ka kritikuar inspeksionin komunal meqë sipas tij shumë pak dalin në teren derisa Muhamet Halili tha se duhet të ekzistojë një lidhje më e fuqishme e komunikimit mes institucioneve dhe konsumatorit, madje institucionet duhet të krijojnë mekanizma për ta nxitur këtë komunikim të ndërsjellë, ndërsa raste e dyshimta duhet të lajmërohen pa hezitim nga ana e qytetarëve, por edhe institucionet duhet të veprojnë në raste të dyshimta pa pritur që dikush t’i paraqes si shqetësime.