Fondacioni “Firdeus”, që drejtohet nga Elvis Naçi, ka bërë me dije se ka marr përsipër rastin e Ilir Behlulit, të riut gjilanas i cili është i sëmurë me leukemi akute, e ky lajm e ka gëzuar nënkryetarin e Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli.
“Na gëzon jashtëzakonisht shumë lajmi i mirëpritur nga Elvis Naçi, për marrjen përsipër të sigurimit të mjeteve që do të shërbejnë për trajtimin dhe shërimin e Ilir Behlulit, 19-vjeçarit nga Gjilani, i cili u diagnostikua me Leukemi Akute. Rasti i Ilir Behlulit, na preku të gjithëve, ku menjëherë e pamë një reagim të mirë të qytetarëve për t’i dalë në ndihmë. Shuma për trajtimin e tij, është jashtëzakonisht e madhe dhe duhet një mobilizim i madh për t’i dalë në ndihmë bashkëqytetarit tonë”, ka thënë Ismajli.
Ai ka falënderuar të gjithë ata të cilët janë lajmëruar për ta mbështetur me mundësitë e tyre, gjithashtu, një falënderim i jashtëzakonshëm edhe për Elvis Naçin, i cili, bashkë me Fondacionin Firdeus, po marrin përsipër trajtimin e rastit për shërimin e plotë të Ilir Behlulit.
“Është krenari e jashtëzakonshme që në mesin e popullit shqiptarë, na mbanë besa, shpresa, krenaria dhe vullneti, për t’i ndihmuar të tjerët. Elvis Naçi, gjithmonë është paraqitur në trajtimin e nevojave dhe halleve të bashkëqytetarëve, duke bërë punë të mëdha në tërë shqiptarinë. Nga tani e tutje, Ilir Behluli, do të fillojë të trajtohet dhe me emër të Zotit, do të shërohet plotësisht. Presim që ai do t’i rikthehet jetës normale, duke u angazhuar në mësime e studime, për tu bërë një profesionist i vërtetë në një fushë të caktuar nga ai”, ka thënë nënkryetari Ismajli.