“Është kënaqësi dhe nder i veçantë, ta takojë, z. Afrim Kqiku, qytetarë nderi i Komunës së Gjilanit. Takimet me të, të japin energji dhe forcë për tu përballur me çdo të papritur. Është njeri i cili brenda vetës rrëzon ndritshmërinë e tij patriotike, intelektuale dhe shoqërore, në avancimin e përpjekjeve për ta pasqyruar realitetin e vendit dhe shoqërisë sonë”.
Kështu është shprehur Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës së Gjilanit, i cili e ka vizituar fotografistin Afrim Kqiku (FOTO FARI), i cili në qershor të vitit 2018 ishte shpallur edhe Qytetar Nderi i Gjilanit, për të cilin ka thënë se është një personalitet i cili në vete përmban një histori të tërë shkrepjesh e kujtimesh për qytetin tonë. Ai i jetoi dhe përjetoi dy epoka, epokën e paraluftës, ku në objektivin e tij, pasqyroi realitetin e tmerrshëm të një sistemi pushtues mbi shqiptarët, dhe, epokën e pasluftës, kur, syri i objektivit të tij, pasqyroi çdo moment e etapë të bashkërendimit të proceseve vendore për shtetndërtim.
Ismajli tha se Afrim Kqiku, është kryepersonaliteti më i rëndësishëm i Komunës së Gjilanit, njeri i paepur për të krijuar një librari të tërë të menteve e çasteve, përmes të cilit vërtetohet thënia se, “Fotografitë mund të arrijnë përjetësinë përmes çastit”.
Sipas tij, ky personalitet, do të mbahet mend ndër gjenerata, për shenjëstrimin e momenteve më të rëndësishme të vendit tonë. Nuk ka asnjë event, mblodhi, organizim e mobilizim, pa qenë pikësynim referimi i objektivit të tij.
“Afrimi, diku 15 vite para luftës, duke u përballur me rrezikun e tij dhe familjes, në bazë të kohës të cilës po gjendeshim, në mënyrë krejtësisht vullnetare, arriti që përmes besnikërisë së tij, ta shpërfaq çdo moment organizimi kombëtarë, politik e sportiv, që ishte në favor të guximit e trimërisë së tij të pashoq, karshi mposhtjes së një sistemi udhëheqës e të vështirë në të cilën po ballafaqoheshim”, ka thënë tutje Ismajli.
Sipas tij, ky njeri, brenda syve të tij, rrëzon përplot ndjenja gëzimi, krenarie e dhimbje, për ballafaqimin e drejtpërdrejtë të tij me çdo ngjarje. Përmes këtij njeriu, gjendet dokumentimi i historisë dhe përpjekjeve të qytetarëve të Gjilanit, në kauzën e përbashkët për, liri, pavarësi dhe demokraci.
“Ne, si qytetarë të Gjilanit, do të krenohemi dhe mburremi, me njeriun, i cili i doli në ballë çdo lufte apo beteje për ta synuar shpërfaqjen e historisë së përjetimit të popullit shqiptarë. Faleminderit, Afrim Kqiku, krenaria e qytetit tonë”, ka thënë në fund Arbër Ismajli, nënkryetar i komunës së Gjilanit.