(2L ONLINE) – Ismajl Januzi, drejtor për Zhvillim Ekonomik e ka njoftuar Komitetin për Zhvillim Ekonomik me dinamikën e projektit të lumit Mirusha, që ka filluar në vitin 2008, por ka vazhduar me ngecje, duke thënë se aktualisht janë duke u kryer punimet në fazën e dytë, nga qendra në drejtim të stadiumit dhe është shprehur optimist se deri në shtator të këtij viti, do të përfundojë vendosja e gypave të kanalizimit deri te rruga qarkore dhe do të hiqen ujërat e zeza nga qyteti.
Jehona Hyseni, kryesuese e Komitetit për Zhvillim Ekonomik ka thënë se disa banorë të kësaj pjese kanë kërkuar të bëhet një modifikim i projektit në pjesën prej qendrës deri ta ambulanca në lagjen “Dardania”, për të krijuar një koridor qarkullimi, duke e mbuluar shtratin e lumit.
Duke dhënë përgjigje në pyetjet e anëtarëve të KZHE, Bashkim Shala, Agron Shurdhani, Hevzi Xhelili, Fatmir Hoxha dhe të tjerëve, Januzi ka thënë se mbulimi i shtratit, nëse miratohet si kërkesë, pasi t`i ketë kaluar procedurat e nevojshme, mund të jetë i përkohshëm.
Detaje rreth mbarëvajtjes së punimeve ka dhënë edhe Zeqir Fazliu, mbikëqyrës i projektit. Ai ka thënë se deri më tani është punuar aq sa kanë lejuar kushtet dhe mundësitë.
Përndryshe, Ismajl Januzi ka thënë se DZHE është duke u përgatitur për mbajtjen e një panairi regjional tre ditor, më 1, 2 e 3 gusht, për t`iu dhënë mudësi promovimi prodhuesve lokalë. Sipas tij, ka një interesim nga bankat për të sponzorizuar këtë aktivitet.
Po ashtu, DZHE ka nisur procedurat për themelimin e një ndërmarrje publike “Tregu”, ku në fazën e parë do të integroheshin tregu i gjlebër, tregu i kafshëve, tregu i automjeteve dhe ndonjë tjetër, për të kaluar në një ndërmarrje publiko-private në fazën e dytë.
Ndryshe, objektiva të kësaj drejtorie janë edhe projektet madhore për ndërrimin e gypave kreysorë të ujësjellësit, ndërtimi i një fabrike për përpunimin e ujërave të zeza, ngrohtorja e qytetit dhe të tjera.
“Do të shfrytëzojmë çdo mudësi për ta ndryshuar gjendjen në Gjilan”, ka thënë Januzi.
Kryesuesja Jehona Hyseni e ka inkurajuar DZHE-në që të punojë në realizimin e këtyre projekteve, që janë në interes të jetës së qytetarëve të Gjilanit, sikurse edhe në themelimin e ndërmarrjes publike “Tregu” dhe mbajtjen e panairit regjional, me të cilin do të identifikohet Gjilani si qytet dhe si qendër e Anamoravës. /2L ONLINE/