Më 30 prill Kosova do ta ketë mundësinë që përmes një seance dëgjimore të ftuar nga kongresisti amerikan, Eliot Engel, të ndajë me Komitetin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan realitetin e luftës në Kosovë dhe të dëshmojë para tyre se si përkundër krimeve të tmerrshme ndaj civilëve, ende nuk ka pasur drejtësi në Kosovë.
“Kjo seancë do të jetë ngjarje e madhe për Kosovën, pasi që pas 20 viteve do të kemi mundësi të tregojmë drejtpërdrejtë realitetin e asaj çfarë na ka ndodhur. Është përgjegjësi e veçantë që kësaj ngjarje t’i japim hapësirën e merituar në mënyrë që t’u dalim haku personave që kemi humbur, atyre që kanë përjetuar dhunë të jashtëzakonshme, familjarëve të personave të pagjetur, familjarëve të viktimave të luftës, dhe të gjithë aktivistëve qe sakrifikuan gjithëçka për lirinë tonë. Historia nuk mund të rishkruhet dhe dallimi në mes të agresorit dhe viktimës duhet të jetë i qartë”, është thënë në njoftimin e zyrës së ish-presidentes Atifete Jahjaga.
Më 31 janar të këtij viti, ish-presidentja Jahjaga ka takuar kongresistin Engel, i cili njëherit është edhe kryesues i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan.
Gjatë këtij takimi, Jahjaga i ka dorëzuar një letër kongresistit Engel me anë të së cilës i ka kërkuar që të shqyrtohet mundësia për organizimin e një seance dëgjimore për krimet e kryera nga aparati shtetëror i Serbisë ndaj popullatës civile në Kosovë, duke përfshirë dhunën seksuale të përdorur si mjet lufte.
Ajo ka theksuar se janë bërë pothuajse 20 vite nga përfundimi i luftës dhe ne ende nuk kemi asnjë person që është dënuar për këto krime.
“Pas këtij takimi është punuar aktivisht për të caktuar këtë seancë, dhe për modalitetet e seancës. Seanca dëgjimore do të mbahet me 30 prill 2019, dhe deri sot është konfirmuar që ish-presidentja Jahjaga do të flasë për krimet e targetuara tek popullata civile e Kosovës dhe mungesën e drejtësisë, si dhe kërkesën për drejtësi si parakusht për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Sërbisë. Gjatë seancës do të dëgjohen edhe dëshmitë e znj. Vasfije Krasniqi Goodman, heroinë dhe e mbijetuar e dhunës seksuale në Kosovë, dhe z. Ilir Bytyqi, tre vëllëzërit e të cilit janë vrarë gjatë luftës. Për më tepër, z. Paul Williams, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, do të flas për luftën në Kosovë nga perspektiva e të drejtës ndërkombëtare”, është theksuar në njoftimin për media të zyrës së ish-presidentes Jahjaga.
“Është duke u punuar maksimalisht për të siguruar përfaqësim dinjitoz të historisë tonë, për hirë të të gjithë atyre që sakrifikuan shumë për lirinë që gëzojmë sot, e që ende nuk kanë drejtësi. Ish-presidentja Jahjaga është tejet mirënjohëse ndaj të gjithë atyre që kanë përkrahur këtë iniciativë, si në Kosovë ashtu edhe në diasporë, dhe kanë ndihmuar duke ofruar informata dhe dëshmi. Vetëm kështu do t’i tregojmë botës historinë e vërtetë të Kosovës”, thuhet në njoftim.